Kodi telefonik i Kosovës, Foto: IPKO/Facebook

IPKO Paralajmëron Telashe Gjatë Kalimit në Kodin +383

Kompania e telekomunikacionit ‘IPKO’ ka lajmëruar përdoruesit e shërbimit telefonik të saj se që nga orët e mbrëmjes së sotme deri në orët e mëngjesit të ditës së nesërme mund të kenë probleme për shkak të kalimit në kodin e ri shtetëror +383.

“Gjatë orëve të mbrëmjes së sotme dhe deri në orët e hershme të mëngjesit, mund të keni vështirësi teknike në përdorimin e shërbimeve tona pasi që jemi në procesin e kalimit në kodin e ri shtetëror +383”, thuhet në njoftimin e IPKO-s.

Deri tani ‘IPKO’ ka përdorur kodin telefonik të Sllovenisë +386.

Qershori pritet të jetë muaji i fundit kur në Kosovë funksionojnë kodet telefonike +377 dhe +386 pasi kodi i vetëm funksional për thirrje ndërkombëtare do të jetë ai shtetëror +383.

Kodi shtetëror që buroi nga marrëveshja e arritur në dialogun Kosovë-Serbi ka arritur të jetë i përdorshëm për thirrje ndërkombëtare nëpërmjet marrëveshjeve me operatorë të huaj telefonikë.