Donacioni i IPKO-s | Foto: Komuna e Gjakovës

IPKO Ndihmon me 10 Mijë Euro Mjekësinë Familjare në Gjakovë

Kompania e telekomunikacionit IPKO, ka dhuruar një donacion për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë në vlerë prej 10 mijë eurove.

Donacioni i cili është dorëzuar sot përbëhet prej mjeteve të ndryshme, të nevojshme dhe mjaft të domosdoshme për sektorin e shëndetit primar në komunën e Gjakovës.

Dorëzimi i donacionit është bërë në një ceremoni të organizuar në ambientet e QKMF-së, ndërsa përveç përfaqësuesve të kompanisë IPKO, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i komunës së Gjakovës Ramadan Hoti.

E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale Adelina Shehu – Kola dhe zyrtarë e përfaqësues të QKMF-së.

Në fjalën e tij, nënkryetari Hoti e ka falënderuar kompaninë IPKO për donacionin, ndërsa ka theksuar se këto pajisje do të ndikojnë pozitivisht në shëndetin e banorëve të Komunës së Gjakovës.