Foto: IPK

IPK shënoi përvjetorin e 12-të të themelimit

Inspektorati Policor i Kosovës ka shënuar sot 12 vjetorin e themelimit.

Në këtë ceremoni morën pjesë përfaqësues të MPB-së, institucioneve ndërkombëtare në Kosovë si ICITAP-i amerikan, OSBE-ja EULEX-i, agjencive homologe nga Republika e Shqipërisë dhe Maqedonisë.

U.D Kryeshefi i IPK-së Miradie Kelmendi tha se Inspektorati Policor gjatë kësaj periudhe ka pasur një progres të vazhdueshëm të zhvillimit si mekanizëm i  kontrollit dhe mbikëqyrjes së policisë së Kosovës për të siguruar një polici të përgjegjshme, profesionale dhe demokratike.

“Krahas fuqizimit të kompetencave të organizatës në fushën e hetimit penal, nuk është ndalur edhe ngritja e kapaciteteve të burimeve njerëzore dhe sot ne jemi mbledhur këtu të falënderojmë të gjithë që kanë kontribuar drejt përmbushjes së misionit dhe vizionit të Inspektoratit Policor të Kosovës”, tha Kelmendi.

Ndërsa Zëvendësministri i MPB-së, Izmi Zeka, tha se MPB është e gatshme për përkrahjen e IPK-së.

“Si një organi i jashtëm mbikëqyrës për policinë,  IPK do të përkrahet që në punën e saj të ketë profesionalizëm, integritet dhe pavarësi të plotë operative” tha  Zeka.

Në këtë ceremoni ka foluar edhe përfaqësuesja e ICITAP-it amerikan Kimberly Riffe e cila nga Inspektorati Policor pranoi një mirënjohje për kontributin e vazhdueshëm drejt fuqizimit të IPK-së.

Gjatë kësaj ceremonie mirënjohje u ndanë edhe për përfaqësuesit e misionit të OSBE-së dhe misionit të EULEX-it si dhe për një numër të punonjësve të IPK-së.