IPK rekomandon suspendimin e pesë policëve në veri pas raportimit të një të mituri

Me 18 maj, Drejtoria Rajonale në Mitrovicë të Veriut ka pranuar ankesë nga një i mitur nga Leposaviqi, i cili është ankuar për keqtrajtim nga zyrtaret policor.

Inspektorati Policor i Kosovës ka njoftuar se në lidhje me këtë rast ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policor të Stacionit Policor të Leposaviqit.

Sipas njoftimit nga ana e IPK-së, hetuesit pas pranimit të ankesës kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me prokurorin kompetent duke dalë në vendin e ngjarjes dhe sigurimin e dëshmive të ndryshme që mund të ndihmojnë në zbardhjen e këtij rasti.

“Pas mbledhjes së informacioneve nga hetuesit në konsultim me prokurorinë kompetente, Inspektorati Policor ka hapur rast penal lidhur me këtë çështje me dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike” dhe “Lëndimi i lehtë trupor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.