Policia e Kosovës - Foto: KALLXO.com

IPK kërkon suspendimin e dy policve të Mitrovicës së Veriut

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i ka rekomanduar policisë që të suspendojë dy zyrtarë policorë në lidhje me një rast për keqpërdorim të detyrës zyrtare që po fitohet. 

Sipas një njoftimi, Inspektorati Policor si pjesë e procedurës hetimore ka realizuar urdhëresën për sekuestrim në Mitrovicën e Veriut të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

“Hetimi është duke u zhvilluar në konsultim me prokurorinë kompetente me dyshimin se dy zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut (njëri zyrtar policor e tjetri me gradën e kapitenit) kanë kryer veprat penale keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar dhe zbulimi i fshehtësisë zyrtare të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e IPK-së. 

Pas realizimit të urdhëresës dy ditë më parë janë sekuestruar disa pajisje kompjuterike dhe disa telefonave celularë si provë materiale të cilat do të shërbejnë për ndriçimin e veprave të cekura me lartë.

Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë së Kosovës edhe masën e suspendimit nga detyra të dy policëve deri në përfundimin e hetimeve.