Inxhinieri i Telekomit raporton në komision për kontratën me Z Mobile

Komisioni hetimor në lidhje me gjendjen e PTK dhe Vala është duke e mbajtur një mbledhje, në të cilën nuk i kanë ftuar mediat. Kjo mbledhje ka filluar në orën 10 e 30.

Në këtë mbledhje është thirrë për tu intervistuar inxhinieri i Telekomit të Kosovës, Abdullah Havolli.

Abdullah Havolli në mbledhje ka thënë se Z Mobile ka tejkaluar të gjithë trafikun e telefonisë Vala.

Rritja e numrave në pronësi të Z-Mobile i ka shkaktuar konkurrencë Vala-s dhe ka shkaktuar humbjen e konsumatorëve.

“Z Mobile me 270 mijë deri 280 mijë numra i tejkalon shërbimet e Vala kurse Vala i ka 900 mijë numra. E kanë tejkalu trafikun e Valës. Dizajnimi i operatorëve virtual është që mos me arritë me i bo konkurrencë operatorit amë, Vala ka hupë konsumatorë, Z Mobile i ka marrë konsumatorët dhe i ka bo konkurrencë. Një konsumator i Valës shfrytëzon më pak trafik se sa një konsumator i Z Mobile. 73 milionë bruto fitim për Z Mobile, 107 mil humbje (arbitrazh) dhe 140 milion fitim i humbur për Telekomin. 3G ka qenë e parashikume për 250 mijë konsumatorë dhe kjo është tejkalu dhe ka arritë në 350 mijë konsumatorë. Në Telekomin e Kosovës, 60% e konsumatorëve e shfrytëzojnë 2G, 33% e shfrytëzojnë 3G dhe 7% e shfrytëzojnë 4G. Ndërsa 60% e konsumatorëve të Z Mobile e shfrytëzojnë 3G dhe 4G”, ka thënë Havolli.

Komisioni Hetimor Parlamentar për PTK-në ka diskutuar më parë edhe problemet e tjera të Telekomit që përfshijnë punësimet politike.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me çështjen e kontratës së Telekomit me Z Mobile.

Borxhi milionësh dhe negociatat për kontratën

Ndërmarrja publike dhe Z Mobile kishin nënshkruar marrëveshje në janar të vitit 2009 me të cilën Z Mobile bëhej operator virtual i Telekomit.

Mospajtimet mes këtyre palëve përfunduan në Arbitrazh. Si rrjedhojë, këtë vit, 10 vite pas marrëveshjes, Telekomi gjendet para një borxhi rreth 26 milionë eurosh ndaj Z Mobile.

Më 4 maj të këtij viti kompania Z Mobile ka paralajmëruar kompaninë publike Telekom se do ta dërgojnë borxhin prej rreth 26 milionë euro në përmbarim.

Në atë situatë, Kryesuesja e bordit të Telekomit tha se borxhi mund të kushtëzojë edhe vazhdimin e kontratës me Z Mobile.

Më pas Z Mobile shtyu afatin për pagesë deri më 15 qershor 

Telekomi i Kosovës tani po synon të hyjë në kredi për të paguar borxhin ndaj biznesit të Blerim Devollit, Z-Mobile.

Në këto momente, Z Mobile e ka jetësuar paralajmërimin dhe ka inicuar procedurë të përmbarimit ndaj Telekomit.

Në anën tjetër, menaxhmenti i Telekomit është zotuar se nuk do të ketëv  vazhdim të kontratës me Z Mobile.

Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë dhënë ultimatum që të ketë zotim me shkrim për mosvazhdimin e çfarëdo kontrate me këtë kompani, ndryshe futen në grevë të përgjithshme.

Arbitrazhi 

Kontesti në mes të kompanisë “Dardafon” dhe ndërmarrjes publike Telekomi i Kosovës zanafillën e ka në marrëveshjen e lidhur më datë 16 janar 2009. Marrëveshja parashihte që “Z-Mobile” të jetë operator virtual i telefonisë mobile “Vala”.

Mospajtimet në mes të dy palëve nisën kur “Z-Mobile” kërkoi numeracion shtesë, pra më shumë se 200 mijë numra sa i ishin ndarë në fillim.Mospajtimet përfunduan në Arbitrazh. Në vitin 2015, “Z-Mobile” (Dardafon) iu drejtua Arbitrazhit pasi pretendonte se Telekomi i Kosovës po bënte shkelje të marrëveshjes pasi refuzonte t’i ndajë numra shtesë dhe të ofronte shërbime 3G dhe 4G.

Tribunali i Arbitrazhit pranë Odës Ekonomike Ndërkombëtare sipas padisë së kompanisë “Z-Mobile”, më 9 dhjetor 2016 vendosi në favor të kësaj kompanie. Sipas vendimit të Arbitrazhit, Telekomi i Kosovës obligohej që t’i alokonte numeracion shtesë “Z-Mobile”-it, si dhe t’i ofronte shërbimet 3G dhe 4G. E për dëmin e shkaktuar, Arbitrazhi e obligonte Telekomin që t’i paguante rreth 30 milionë euro gjobë në emër të shpërblimit të dëmit, fitimit të humbur dhe shpenzimeve të procedurës së Arbitrazhit.

Plani i Z Mobile për konkurrencë ndaj ‘Vala-s’ dhe ‘IPKO-s’