Investitorët Strategjikë “Kushtojnë” 10 Milionë Euro

Kuota minimale e mjeteve financiare të cilat duhet të investohen që një investitor të quhet strategjik, e përcaktuar në Ligjin për Investime Strategjike shkaktoi mospajtime te anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik.

Sipas këtij ligji në sektorin e bujqësisë dhe industrisë ushqimore investitor strategjik llogaritet kompania me investime kapitale nga 10 milionë euro e tutje, në sektorin kyç ku bëjnë pjesë edhe transporti dhe telekomunikacioni, investitor strategjik llogaritet kompania me kapital minimal 30 milionë euro e tutje, ndërsa kapitali minimal prej 20 milionë euro e tutje kërkohet për sektorin e shëndetësisë.

Me këto kuota nuk u pajtuan shumica e anëtarëve të komisionit duke e llogaritur se Kosova nuk e ka luksin për të përcaktuar kuota minimale kur ka mungesë.

Anëtari i komisionit deputeti Blerim Grainca theksoi se kuotat minimale janë të larta dhe nuk duhet pritur që në Kosovë të vijnë kompani me kapital miliarda euro.

“Mendoj se kuotat minimale janë shumë të larta dhe propozoj që këto të përgjysmohen. Kosova ka shumë nevojë për investime strategjike, nuk mund të bëjmë kufizime sepse nuk e kemi ambientin shumë të favorshëm si vendet e rajonit. Në çfarë gjendje jemi nuk mund të llogarisim se do të vijë kompania gjigante ‘General Motors’ të investojë, e cila ka kapital miliarda euro,” tha Grainca.

Edhe Duda Balje kuotat i cilësoi të larta.

“Në pozitën ku gjendet Kosova unë mendoj se nuk është shumë me rëndësi vlera minimale e investimeve, nuk e kemi luksin të përcaktojmë vlera kaq të larta. Për mua investitorë strategjikë mund të konsiderohet edhe investimi me 3 milion euro,” tha Balje.

Anëtarja tjetër e komisionit Sala Berisha-Shala tha se Ligji për Investime Strategjike nuk duhet të ketë as kuotë të të punësuarve që një investitor të konsiderohet strategjik.

“Mendoj se ligji i ri duhet të jetë më fleksibil me kritere më të favorshme. Përcaktimi i shumave shumë të larta për investime duhet të zvogëlohet si dhe nuk duhet të bëhet  përcaktimi i numrit të punëtorëve,“ tha Berisha-Shala.

Pas mospajtimeve mes anëtarëve të komisionit për kuotat minimale investuese, u propozua që ligji të përcaktojë që  investitor strategjik të konsiderohet ajo kompani e cila investon vlerën më të madhe të kapitalit dhe punëson më së shumti punëtorë.

Kryesuesi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik Muhamet Mustafa tregoi çfarë kriteresh duhet të plotësojë një investitor strategjik.

“Jo secili investitor mund të quhet strategjik, ligji qartë do ta specifikojë investitorin strategjik, ai i cili ka një reputacion ndërkombëtarë, ka kredibilitet, respekton dhe praktikon praktikat e transparencës dhe llogaridhënies së etikës biznesore dhe ka referenca të verifikueshme nga institucionet financiare dhe auditorë kredibil,” tha Mustafa.