Foto:Facebook

Investimi 100 mijë eurosh që shkoi huq në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë

Pas investimeve mijëra euro të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në vendosjen e rrethojave në Stacionin e Autobusëve dhe për shitjen e biletave hyrëse në këtë stacion, ai vendosi t’i largoj me arsyetimin që janë “të panevojshme”.

Gjatë mandatit të parë të tij, Ahmeti ‘mburrej’ kur i vendosi duke pretenduar se përmes digjitalizimit do të lehtësohet puna, do ketë “rritje të transparencës dhe rritja e të hyrave” në këtë ndërmarrje.

Mirëpo, të martën Komuna e Prishtinës vendosi që t’i largoi rrethojat duke i quajtur edhe “të paarsyeshme”.

“Para disa muajsh kemi marr në menaxhim Stacionin e Autobusëve. Kemi zbuluar shumë parregullsi, kemi rritur të hyrat, kemi larguar pagesat për udhëtarët dhe kemi arritur marrëveshje me shoqatën e transportuesve. Sot po i largojmë rrethojat e panevojshme e të paarsyeshme”, ka shkruar i pari i Prishtinës të martën.

Mirëpo, projekti “Rrethoja me Tripod” ishte bërë në kohën kur udhëhiqej nga ish-drejtori i Stacionit të Autobusëve në Prishtinë, Ylber Çitaku.

Në një prononcim për KALLXO.com, ai thotë se kostoja e projektit ka qenë rreth 100 mijë euro.

“Rrethoja jashtë ka kushtuar 27 mijë euro për 200 metra gjatësi, ndërsa teknologjia për bileta digjitale ka pasur koston rreth 70 mijë”, ka thënë Çitaku.

Nga ana e tjetër, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli në llogarinë e saj në ‘Facebook’, kishte reaguar në mbrëmjen e së martës pas këtij veprimi duke thënë se po “zhbëhet” Prishtina.

“I vendos rrethojat, i largon rrethojat si të panevojshme në stacionin e autobusëve…vendos pagesë 1 euro për hyrje në stacionin e autobusëve dhe pas një kohe e largon atë”, kishte shkruar Pacolli.

Ndërkaq, vendosja e biletave digjitale ishte kritikuar ashpër nga qytetarë të shumtë.

Por në dhjetor të vitit të kaluar, Ahmeti kërkoi nga bordi i ri që të shfuqizohet vendimi për taksën që qytetarët paguanin për të hyrë në stacion e që ka qenë në tri nivele: 0.10, 0.50 dhe 1 euro.

https://kallxo.com/komuna-e-prishtines-largon-rrethojat-ne-stacion-te-autobuseve/

 

.