Pamje nga konferenca për zhvillimin e turizmit - Foto: KALLXO.com

Investimet Kapitale Kusht për Zhvillimin e Turizmit

Instituti Demokracia për Zhvillim në bashkëpunim me Projektin për Promovimin e Punësimit në Sektorin Privat kanë prezantuar sot raportin “Turizmi për Zhvillim: Mundësitë që duhet shfrytëzuar”, i cili ka për qëllim promovimin dhe zhvillimin e sektorit të turizmit në Kosovë dhe inkurajimin e investimeve kapitale në këtë sektor.

Në konferencën e sotme u prezantuan disa projekte, në të cilat u paraqitën të dhëna të shumta për turizmin në Kosovë, kapacitetet hoteliere, përshtypjet e turistëve të anketuar dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen, si dhe u dhanë rekomandime të ndryshme për promovimin e turizmit.

Isuf Zejna, autor i raportit, tha se Kosova duhet të mësojë nga praktikat rajonale dhe të themelojë një organizatë kombëtare të turizmit, e cila do të merrej me zhvillimin e politikave në këtë fushë por për të ndodhur kjo ai tha se duhet të rritet buxheti për investime, i cili do të rriste edhe kapacitetet e zhvillimit të politikave të turizmit.

“Është me rëndësi që Qeveria dhe Kuvendi të rrisin buxhetin edhe për investime në fushën e turizmit, por edhe në kornizën institucionale, për të rritur kapacitetet të cilat do të zhvillonin politika dhe të cilat do të ndihmonin sektorin privat në rritjen ose pasurimin e këtyre ofertave turistike”, tha ai.

Zejna theksoi se Ligji aktual për Turizëm në krahasim me shtetet e tjera të rajonit nuk është konkurrues dhe se ka nevojë për një legjislacion të ri i cili do ta vinte vendin në hap me trendet rajonale.

Në raportin për turizmin në Prishtinë u anketuan 521 turistë, të cilët kryesisht ishin nga Gjermania, Turqia dhe Zvicra.

Qëllimet kryesore pse ata vizitojnë Prishtinën ishin biznesi, pushimet e vizitat familjare.

Dashamirësia e njerëzve ishte karakteristika më e pëlqyeshme nga ta. Por, te gjërat e mira nuk bënte pjesë edhe trafiku, i cili u radhit ndër gjërat më të papëlqyera në kryeqytet.

Pavarësisht kësaj Prishtina u reflekton si vend i argëtimit, e ushqyerja nëpër restorante është ndër gjërat më interesante për ta.

Monumenti “NewBorn” u cilësua te gjërat më të bukura për t’u parë.

Këta turistë nuk hezituan të tregojnë për gjërat që mungojnë në qytet si, parqet, qendrat e informacionit për turistë dhe sheshet e lojërave për fëmijë.

Prishtina u është si shtëpi për 21% të turistëve të anketuar.

Në këtë konferencë pati edhe rekomandime si të përgatitet një strategji kombëtare e turizmit, që të ketë qendra informimi për turistë, të promovohen qendrat turistike të Kosovës në mediat vendore e ndërkombëtare, të themelohet një kornizë statistikore për matjen e turizmit, hotelet të promovojnë më shumë vlera autentike në shërbimet e tyre, etj.

Redaktoi: Naser Sertolli