Investime të Vogla, Kursime të Mëdha

Me një projekt të vogël e simbolik, OJQ-ja INDEP paraqiti sot rezultatin domethënës të projektit të saj me bizneset vendore që kishin përfituar grante për efiçiencë të energjisë.

48 bizneset e përzgjedhura me kujdes kanë qenë përfitues të grantit nga Bashkimi Evropian dhe numri më i madh i tyre kanë investuar në pajisje të ndriçimit që harxhojnë shumë më pak energji.

Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përfituese po ashtu kanë investuar në ndërrimin në bizneset e tyre të pajisjeve si kondicionerët e ajrit, frigoriferë, rrobalarëse, enëlarëse, dyer dhe dritare efiçiente, por edhe në dysheme si izolim.

Në raportin e detajuar të INDEP përmendet shembulli konkret i përfitimit nga vendosja e pajisjeve efiçiente. Pas vendosjes së pajisjeve, kompanisë “Gërguri” fatura e energjisë i ka ardhur gati përgjysmë më lirë. Nga 204 euro sa ka paguar më parë, tani ai paguan 125 euro.

Burim Ejupi, drejtor ekzekutiv i INDEP, thotë se projekti fillimisht ka nisur me ngritjen e vetëdijes te bizneset për rëndësinë e investimeve në efiçiencë të energjisë.

Ejupi tha se nga gjetjet e pyetësorit është mësuar se bizneset mbajnë mbi supe një barrë të madhe financiare të shkaktuar nga shfrytëzimi joefiçient i energjisë, e që rezulton me fatura të shtrenjta të energjisë elektrike.

“Nga bizneset e vogla është kërkuar që të mbulojnë vetë investimin deri në 20 për qind. 2,500 euro ka qenë granti më i madh”, tha Ejupi në konferencën e mbajtur të martën në Prishtinë.

Bizneset që kanë marrë pjesë në projekt kanë qenë nga Prishtina (26), Fushë-Kosova (5), Lipjani (5), Obiliqi (3) dhe Podujeva (9).

Thirrja për aplikim për grantin prej 99,912 euro kishte filluar në qershor të 2015, ndërsa ato biznese që nuk kishin obligimet e kryera ndaj shtetit janë refuzuar.

Bedri Dragusha, udhëheqës i Agjencisë kosovare për Efiçiencë të Energjisë tha se vendi nuk ka bërë mjaft në energjinë efiçiente, por as nuk ka mbetur prapa shteteve të rajonit.

“Sipas planit kombëtar për efiçiencë të energjisë 2010-2018, caku i kursimeve është të arrihet deri në 9 për qind”, tha Dragusha.

Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Dardan Sejdiu po ashtu shpalosi planet dhe të arriturat e Komunës, duke nisur nga sistemi i ngrohjes së qytetit përmes avullit, në vend të ngrohjes me mazut që ishte bërë nga ngrohtorja “Termokos”.

Ai tha se Komuna e Prishtinës ka investuar në ndriçimin publik me drita efiçiente. Sipas tij, 110 kilometra rrugë të kryeqytetit ndriçohen me poqa kursyes.

“Do të kërkojmë që të bëhet implementimi i masave të efiçiencës së energjisë në ndërtime e jo të niset më vonë,” tha Sejdiu për ndërtimet në kryeqytet.

Sipas INDEP-it, në Kosovë, 70 për qind e objekteve janë të paizoluara, ndërsa pjesa më e madhe e energjisë humbet nga çatia e shtëpisë.

[interaction id=”56dede714ab46a0103a07d76″]