Intervistohet nga Policia kryeimami i Pejës, Enes Goga

Kryeimami i Pejës, Enes Goga, është intervistuar sot nga hetuesit policorë në stacionin e Policisë në Pejë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar vetë Enes Goga.

“Po, jam intervistuar, është e vërtetë. Po ashtu bashkë me mua është intervistuar edhe sekretari. Nesër do të intervistohet edhe kryetari i BIK-ut në Pejë”, ka deklaruar Enes Goga për KALLXO.com.

Sekretar i Bashkësisë Islame në Pejë është Fuad Hoxhaj ndërsa kryetar Musli Arifaj.

Ky intervistim nga hetuesit e forcave të rendit ka ardhur pas denoncimit të Zyhdi Hajzeri, ish-imam në xhaminë “Tahtali Xhami”.

KALLXO.com merr vesh se ish-imami Zyhdi Hajzeri po e akuzon kryeimamin Enes Goga për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zyhdi Hajzeri është i suspenduar nga pozita e imamit që nga prilli i këtij viti.

Denoncimi në Komisionin Disiplinor të Bashkësisë Islame të Hajzerit ishte bërë nga kryetari i BIK-ut në Pejë, Musli Arifaj.

Në nëntor të vitit të kaluar, Bashkësia Islame në Pejë kishte filluar ndarjen e territoreve të xhamive, me ç’rast përcaktohej edhe xhemati i secilës xhami në këtë komunë.

Sipas ish-imamit, Zyhdi Hajzeri, Komisioni i Bashkësisë Islame në Pejë do të duhej të dorëzonte raportin për ndarjen e territoreve te secili imam deri më 31 dhjetor 2018, që sipas tij, nuk kishte ndodhur.

“Unë kam shkuar me 14 janar për ta kërkuar raportin, por ata më kanë thënë që nuk kemi kryer raportin sipas afatit”, thotë ai.

Sipas Hajzerit, BIK-u në Pejë e dërgoi atë në Komision Disiplinor dhe gjatë kësaj kohe ai thotë të ketë kuptuar falsifikimin e nënshkrimin e 8 nëntorit të viti 2018, i cili kishte paraparë afatin për dorëzimin e raportit për ndarjen e territorit të xhamive në Pejë.

“E kam denoncuar,  sepse para Komisionit Disiplinor e vërejta qe vendimi i BIK në Pejë është ndryshuar dhe për rrjedhojë është falsifikuar me çka edhe Komisioni është vënë në lajthitje dhe mashtrim. Më e çuditshme është se unë i kam informuar për falsifikim por prapë se prapë mbi bazën edhe te këtij dokumenti të falsifikuar jam dënuar”, thotë ai.

Ish-imami Zyhdi Hajzeri beson që suspendimi i tij po ndodhë qëllimisht.

“Besoj qe kjo është bërë për shumë arsye ndër to edhe ideologjike dhe pse gjithmonë kam kundërshtuar ekstremizmin, terrorizmin dhe anomalitë e veprimet e kundërta ideologjike në BIK. Kërkoj nga Policia dhe prokuroria të më mbrojnë dhe ta hetojnë secilin dokument sepse besoj që ka edhe shkelje të tjera të tmerrshme për çka jam në përfundim edhe të dy kallëzimeve penale”, thotë ai për KALLXO.com.

Por, me pretendimet e ish-imamit nuk pajtohet kryemimami i Pejës, Enes Goga. Sipas tij, të gjitha këto janë gënjeshtra.

“Zyhdi Hajzeri ka bërë një  denoncim në Prokurorinë e Pejës, në lidhje me një vendim të cilin pretendon z. Hajzeri që ai vendim është marrë në mënyrë të parregullt dhe është falsifikuar nënshkrimi i atij vendimi. Në të vërtetë, ai vendim nuk ekziston fare. Vendimi është inekzistent dhe të gjitha këto fabrikime dhe gënjeshtra janë të z. Hajzerit, tashmë i larguar nga puna prej 1 prillit të vitit 2019, për një vit”, thotë Goga.

Tutje, Goga thotë se ish-imami Hajzeri në vazhdimësi ka sjellë probleme në BIK-un e Pejës. Për këtë ai thotë të kenë marrë disa herë masa.

“Ai në vazhdimësi ka ardhur na ka provokuar në administratën e BIK-ut në Pejë. Sa ka qenë ai për nëntë vite, ka pasur shkelje të rregullores së brendshme të Bashkësisë Islame, nuk ka qenë në nivelin e detyrës. Ne i kemi përdor mekanizmat, i kemi dhënë vërejtje derisa e kemi kuptuar  që personi në fjalë është i papërmirësueshëm, dhe është proceduar rasti pranë Komisionit Disiplinor pranë BIK-ut. Vendimi i shkallës së dytë të Komisionit Disiplinorë i BIK-të thotë se atij i pushon aktiviteti si imam”, thotë Goga.

“Për ne është një gënjeshtër e fabrikuar e radhës që me mjeshtëri të veçantë e bën z. Hajzeri. Të gjithë imamët e Pejës e njohin si fabrikues të gënjeshtrave. Ne jemi të shqetësuar dhe nuk ndihemi të qetë të punojmë në vendin e punës, ne punëtorët e Administratës nuk mund ta ndërrojmë vendin e punës. Nuk jemi duke folur për një melaqe por për një manipulues i cili për motive të ulëta fabrikon gënjeshtra”, deklaron kryeimami i Pejës.

Enes Goga ishte akuzuar më parë për veprat që lidheshin me terrorizmin. Por, ai ishte shpallur i pafajshëm në maj të vitit të kaluar nga Gjykata e Prishtinës.

https://kallxo.com/imami-enes-goga-i-kenaqur-pas-lirimit-nga-akuza-per-terrorizem/

Lidhur me intervistimin e kryeimamit të Pejës, Enes Goga, KALLXO.com ka kontaktuar edhe Policinë e Rajonit të Pejës.

Zëdhënësi i Policisë, Xhevat Ibra, ka thënë se nuk ka informata se nga kolegët e tij policë është intervistuar kryeimami.

“Ne nuk kemi informacion për intervistimin e tij, nuk na është dhënë informacion zyrës tonë. Ne nuk kemi diçka zyrtare për ta konfirmuar atë”, ka thënë Ibra për KALLXO.com.

www.kallxo.com