Foto: Shekip Fazliu (tetor 2018)/Facebook

Interpretimi ligjor që ia ndalon Shekip Fazliut të jetë sekretar i Telekomit dhe kryetar i Nismës në Skenderaj

Shekip Fazliu, sekretari i Telekomit të Kosovës, që nga 23 qershori është zgjedhur edhe kryetar i degës së Nismës Socialdemokrate në Skenderaj.

Përderisa në mars të këtij viti ai është emëruar nga bordi i Telekomit të Kosovës në pozitën e sekretarit të kësaj ndërmarrjeje, tre muaj më pas, Fazliu ka ardhur në krye të Nismës Socialdemokrate në Skenderaj.

Mirëpo, një interpretim të Ligjit për Ndërmarrjet Publike që e ka bërë Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik me rastin e përzgjedhjes së kryeshefit të një ndërmarrjeje publike thuhet se pozitat e larta drejtuese të NP-ve duhet të mbahen nga persona që janë të pavarur.

Sipas këtij interpretimi ligjor, personat e emëruar nga bordi i ndërmarrjeve publike të Kosovës duhet të jenë të pavarur, ashtu siç kërkohet edhe për anëtarët e tjerë të bordit të drejtorëve të ndërmarrjeve publike.

“Për përzgjedhjen e personave për emërim si zyrtarë të NP-së, bordi i drejtorëve duhet të kryej një procedurë të hapur, transparente dhe konkurruese, e cila ka për qellim që të gjitha emërimet të bëhen ekskluzivisht në bazë te meritës. Bordi i Drejtorëve duhet të sigurojë që të gjithë personat e emëruar si zyrtarë të jenë persona me integritet të njohur të cilët i plotësojnë kushtet e kualifikimit dhe i plotësojnë kriteret e pavarësisë”, thuhet në interpretim.

Foto: Shekip Fazliu/Facebook

Ky është interpretimi që ka dhënë Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE) dhe Zyra e Kryeministrit (ZKM) ia ka pamundësuar Blerand Stavilecit të zgjidhet në krye të KEK-ut për shkak të kaluarës së tij politike.

Në këtë opinion ligjor është theksuar se në nenin 21 të Ligjit për Ndërmarrjet Publike thuhet që me zgjedhjen dhe emërimin e zyrtarëve të lartë të ndërmarrjes publike, personi që është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajshe ka qenë bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike, nuk mund të zgjidhet kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes publike.

“Në Ligjin për Ndërmarrjet Publike definohet qartë se një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse “është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë zyrtar i zgjedhur publik, i emëruar politik ose bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike”, potencohet në opinionin ligjor.

Nisma Socialdemokrate në vitin 2014 (Shekip Fazliu, i dyti nga e majta), Foto: Nisma Socialdemokrate/Facebook

KALLXO.com ka kontaktuar me Shekip Fazliun, sekretarin e Telekomit të Kosovës dhe kryetarin e degës së Nismës Socialdemokrate në Skenderaj për ta pyetur nëse mbajtja e dy pozitave përbën konflikt interesi.

Por Fazliu e ka mohuar këtë duke thënë se përgjigja e interpretimit ligjor që ka marrë thotë që mbajtja e këtyre dy pozitave nuk përbën konflikt interesi.

“Unë e di që nuk kam konflikt interesi edhe për atë i kam hy kësaj gare përndryshe unë nuk jam person që paguhem nga partia apo nga një pagë tjetër. Është një punë vullnetare që e bëj. Kam kërku opinion. Dhe përgjigja është që nuk kam konflikt interesi”, ka thënë Shekip Fazliu për Kallxo.com.

Një përvojë të njëjtë si Fazliu e ka pasur edhe Sejdi Hoxha, kryeshefi ekzekutiv i Postës së Kosovës, i cili më 19 maj është zgjedhur kryetar i degës së PDK-së në Drenas.

https://kallxo.com/interpretimi-ligjor-qe-ia-ndalon-sejdi-hoxhes-te-jete-kryeshef-i-postes-dhe-kryetar-dege-ne-pdk/

.