Përdorimi i platformave online ne arsim | Foto: KALLXO.com

Interneti në Arsim për Ngritje Cilësie

Gjatë tryezës së organizatës “FLOSSK” në të cilin u diskutua për rolin e internetit në arsimin kosovar, u tha se platformat online duhet të përdoren nga mësimdhënësit e të gjitha shkollave të Kosovës.

Arianit Dobroshi nga “FLOSSK” edhe pse tha se përdorimi i internetit në mësimdhënie është shumë i rëndësishëm, e pranoi se të gjithë arsimtarët nuk mund të aftësohen për këtë punë.

“Jo të gjitha arsimtarët duhet të përdorin internet, çdo arsimtar nuk mundemi me ngrit në nivel  me operua në shekullin 21 kjo është e paarritshme, duhet me pranu këtë si të parealizueshme” tha Dobroshi.

Dobroshi më tutje tha se për të pasur qasje të përmbajtjeve online, duhet njohje në nivel të lartë e gjuhës angleze.

“Nxënësit janë më të avancuar sa i përket teknologjisë sesa mësimdhënësit”, tha Dobroshi.

Argjend Osmani, këshilltari i projektit të BE-së “TiK-u dhe Mësimi Elektronik në Arsim” tha se ky projekt ka filluar në vitin 2010, ndërsa deri tash janë shpenzuar pesë milionë euro.

Osmani tha se platforma elektronike e prezantuar nga “FLOSSK” duhet të aplikohet në arsim.

“Përmes kësaj platforme online gjatë orëve mësimore nxënësit përveç marrjes bëhen dhe krijues të dijes. Këto resurse janë falas andaj duhet të aplikohet në shkolla kjo metodë e të mësuarit përmes platformave online”, tha Osmani.

Shkumbin Brestovci tha se librat shkollorë në Kosovë janë të vjetër dhe me shumë pak përmbajtje të re.

“ Njëri prej problemeve më të mëdha është në fakt përmbajtja, edhe nëse e kemi teknologjinë ose punojmë,  problem janë librat e shkollës.  Janë edhe shumë të vjetruar edhe përmbajtje të re ka shumë pak. Jemi shumë mbrapa me krijim të përmbajtjes”, tha Brestovci.

Vitin e kaluar në prag të fillimit të vitit shkollor ministri i Arsimit Arsim Bajrami tha se 86 tekste shkollore nga klasa e parë në të nëntën janë rishikuar.

http://kallxo.com/bajrami-ta-leme-politiken-jashte-shkollave/

Agron Dida që ka video-portalin edukativ “Zgjoi.com” tha se kjo mënyrë mësimi është më e avancuar.

“Portali e zgjedhë një problem të cilin  e kam menduar një kohë duke hulumtuar resurset e hapura- ideja është si me I ndihmu nxënësit.  Përmes portalit kam ndihmuar nxënësit që të shohin eksperimente të ndryshme, tema, detyra në matematik kjo përmes linqeve  që janë të shpërndarë në këtë portal”, tha Agron Dida nga portali ”Zgjoi.com”.