Ilustrim

Interneti Bllokon Administratën në Gjilan

Një numër i konsiderueshëm i qytetarëve të Gjilanit janë duke pritur në rend në Drejtorinë e Administratës së Përgjithshme për marrjen e ndonjë dokumenti, mirëpo për shkak te mungesës së internetit numri i qytetarëve vetëm po shtohet.

Kështu të paktën e thonë nëpunësit administrativë.

Gazetari i KALLXO.COM, i cili për momentin gjendet brenda objektit të kësaj Drejtorie, thotë se qytetarët kane mbi një orë që qëndrojnë në pritje.

Ndërsa drejtori i Administratës së Përgjithshme në Komunën e Gjilanit, Nazim Gagica tha se problemi me internet është përgjegjësi e Ministrisë së Punëve të Brendshme, e jo i Komunës.

Sipas tij janë IT-të e Zyrës së Agjencisë për Regjistrim Civil në kuadër të kësaj Ministrie ata që duhet ta rregullojnë këtë prishje. Ai tha se tashmë janë njoftuar zyrtarët e kësaj Agjencie dhe se presin të rregullohet shumë shpejt.

Mirëpo, kur u kontaktuan në këtë dikaster të MPB-së, ata e kishin të panjohur këtë problem në Komunën e Gjilanit.

Megjithatë edhe ata patën premtime, se do të rregullohet shumë shpejt.

Pritjet e gjata në sportelet komunale nuk janë të rralla, sidomos gjatë muajve maj-shtator.