Të rinjtë prizrenas duke pritur të marrin informata per punesim jashte Kosoves - 31.10.2018

Interesim i lartë i të rinjve prizrenas për punësim jashtë vendit

 

Shumë të rinj nga Kosova sot kanë parë nga afër mundësitë e kompanisë  gjermane “O.B.M Aviation”, e cila po ofron mbi dy mijë vende pune për aplikuesit nga Kosova, e të cilët duhet t’i plotësojnë disa kushte.

Niveli i papunësisë në vendin tonë ka bërë që interesimi i të rinjve të sigurojnë një  vend pune përmes kësaj kompanie të jetë shumë i madh. Kjo kompani do të  ofrojë  vende pune profesionale, kryesisht infermierë, shoferë kamioni dhe punëtorë në aeroport në bagazh, pastrues dhe punë të tjera, por që duhet ta kenë një diplomë që konfirmon përgatitjen profesionale, për drejtimin që  ata aplikojnë.

Aplikimet për vende pune të lira përmes kësaj kompanie do të fillojnë  me 5 nëntor. Kompania “O.B.M Aviation” po ashtu përmes një  komunikate ka njoftuar se do të  organizojë takim informues edhe në Prishtinë  me 1 nëntor.

“Stafi ynë së bashku me pronarin e kompanisë “O.B.M Aviation“ do të realizoj një takim edhe në PRISHTINË me personat që janë të interesuar për PUNËSIM në Gjermani me datën 01.11.2018 në ora 12:00 – 16:00 në Sallën e Kuqe tek Pallati i Rinisë , Prishtinë”, thuhet në  njoftim.

Në të njëjtën ditë kur kjo kompani gjermane po ofron dy mijë vende pune për të rinjtë, po mbahet edhe panairi i punës në Prizren, në qendrën sportive “Sezai Surroi”.

Në panairin e punës, 50 biznese do të ofrojnë rreth 700 vende pune të reja.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka ftuar të gjithë punëkërkuesit të vizitojnë panairin e punës.

“Në ekonominë globale pasuria më e rëndësishme është burimi njerëzor. Vendet më të zhvilluara të botës, kanë arritur të zhvillohen jo pse kanë pasuri natyrore apo pasuri të tjera, por sepse kanë njerëz të aftë dhe punëtorë.

Sot afërsisht 50 biznese i kanë hapur rreth 700 pozita të reja të punës në Panairin e Punës që po organizohet në palestrën sportive “Sezai Surroi”, në bashkëpunim mes Komunës së Prizrenit, Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Agjencisë së Punësimit të Kosovës dhe Zyrës Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ).

Ftoj të gjithë punëkërkuesit të marrin nga një CV, ta vizitojnë këtë panair dhe të informohen më shumë rreth pozitave të lira për punë”, ka shkruar Haskuka.