Interes më i Ulët për Borxhlinjtë e ATK-së

Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) me qëllim të udhëzimit të bizneseve për të zbatuar si duhet legjislacioni tatimor mbajti dje në Prishtinë një seminar për biznese dhe profesionistë të kësaj fushe.

I pranishëm në këtë seminar ishte edhe ministri i Financave Avdullah Hoti që foli për punën që po e bëjnë ministria dhe ATK-ja.

“Filozofia e jona e punës në Ministri të Financave dhe gjithashtu në Administratë Tatimore është që ne të punojmë bashkë me bizneset duke i udhëzu për të respektu ligjin, e jo duke ndërmarrë masa të cilat mund  t’i ndëshkojmë ata për mosrespektimin e ligjit,” tha ai.

Ulja e normës së interesit në 8.4 për qind për detyrimet e papaguara dhe 1.2 për rimbursimet dhe vonesat e shkaktuara nga ATK-ja janë vendimet më të reja të ministrit të financave.

Këto vendime i bëri të ditura drejtori i përgjithshëm i ATK-së Sakip Imeri.

“Shfrytëzoj rastin për pak minuta sa jemi me ministrin këtu të bëj publik vendimin e datës 3 shkurt të ministrit të Financave për uljen e interesit në detyrimet e papaguara të Administratës Tatimore, të cilat ulen në normën 8.4 për qind përkatësisht 0.70 për qind në baza mujore dhe norma për kthimin e rimbursimeve, vonesave që shkaktohen që shkaktohen nga Administrata Tatimore është në 1.2 për qind, është vendimi i fundit i ministrit,” njoftoi ai

Imeri përmendi edhe një risi tjetër. Tha se në tremujorin e dytë të 2016-ës së bashku me deklarimin e TVSh-së duhet të ngarkohet në sistemin e deklarimit të tatimeve edhe libri  i hyrjeve dhe daljeve.

Deklarimi vjetor për biznese Individuale, Korporata dhe Ortakëri, raportimi i blerjeve mbi 500 euro dhe raportimi i pasqyrave financiare ishin tema të këtij seminari.

Seminare të tilla janë duke u zhvilluar edhe në qytete tjera të Kosovës.

Për faljen e borxheve të ATK-së dhe problemet me to, Gazeta Jeta në Kosovë shkroi në janar të këtij viti.

Problemet e Borxheve të Falura