Instituti Albanalogjik i Prishtinës shënon një dekadë të ‘Javës së Albanologjisë’

Edicioni i sivjetmë i “Javës së Albanologjisë” që organizohet nga Instituti i Albanologjisë në Prishtinë, do të mbahet prej datës 17 deri më 19 qershor 2019, dhe në një kontekst të ri për këtë institut.

Këtë vit IAP shënon 10 vjetorin e organizimit të “Javës së Albanologjisë’ dhe sipas zyrtarëve të këtij instituti janë paraparë edhe aktivitete më të veçanta.

Gjatë tri ditëve sa do të zgjas edicioni jubilar i “Javës së Albanologjisë”, do të prezantohen rreth 100 kumtesa nga studiues të fushave të ndryshme të disiplinave albanologjike, si: nga letërsia, gjuhësia, historia, folklori dhe etnologjia.

Lulëzim Lajçi, sekretar shkencor i IAP-së, ka pohuar për Kallxo.com se “Java e Albanologjisë” është  një prej aktiviteteve kryesor të IAP-së, përmes së cilëve shpalosen të arriturat e fundit shkencore në fusha të ndrysmë të albanologjisë.

“Besojmë që sesionet e sivjetshme shkencore do ta zgjojnë kërshërinë e opinionit tonë shkencor dhe do të shërbejnë si një shtysë e mirë për t’i trajtuar edhe më tej materiet e caktuara shkencore”, ka thënë Lajçi.

Sipas tij, Java e sivjetme do të përfshijë rreth 100 studiuesish, të cilët do të japin kontributin e tyre në pesë sesione të ndara: gjuhësi, letërsi, folklor, etnologji dhe histori. Ndërsa nuk do të mungojnë edhe  emrave të shquar të albanologjisë.

“100 kumtesat e parapara për këtë konferencë do ta begatojnë fondin e studimeve albanistike, do t’i zgjerojnë këndvështrimet studimore, do të sjellin qasje moderne metodologjike dhe përfundimisht edhe rezultate të reja shkencore si një kontribut i çmueshëm për avancimin e mëtejmë të studimeve shqiptare”, ka pohuar sekretari shkencor Lajçi.

Po sipas Lajçit, në kuadër të këtij aktiviteti, Dega e Historisë së IAP-së, do të organizojë sesionin “Problematika e gjeografisë historike në hapësirat albanofone”.

Ndërkaq Dega e Gjuhës në  Konferencën shkencore  të javës si temë bosht do të ketë “Probleme të shqipes standarde në komunikimin e shkruar dhe të folur sot”.  Tema bosht e Degës së Etnologjisë ne edicionin e dhjetë të Javës do të jetë “Lufta/konfliktet dhe kultura –vështrime etnologjike”.

Dega e Folklorit në kuadër të kësaj jave do të organizojë sesionin shkencor me temë: “Festivalet folklorike, folklori, folklorizmi dhe audienca”,  kurse Dega e letërsisë do të organizojë sesioni shkencor me temën “Tregimi në letërsinë shqipe”.

Lajçi ka thënë se gjatë edicionit të sivjetëm të “Javës së Albanologjisë”, do të promovohet dhe botimet e IPA-së për 2018 dhe 16 vëllime të botuara me kumtesat e shpalosura gjate 8 edicioneve të këtij aktiviteti shkencor.