Instituti Albanalogjik i Prishtinës botoi studimin ‘Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë’

Monografia “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” i autorit Sejdi M. Gashi, punëtor shkencor në degën e Gjuhësisë, është studimi i radhës i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës.

Libri ka dalë në qarkullim kohë më parë ndërsa trajton aspektet gjuhësore dhe pasurisë dialektologjike të Komunës së Istogut me rrethinë.

Ky botim plotëson tablonë e studimit të të folmeve shqipe të Kosovës dhe si i tillë paraqet një kontribut me vlerë për studimet në gjuhësinë shqiptare.

Punimi ndahet në 8 kapituj, që ndërthuren me njëri-tjetrin, e ku përfshihen: të dhëna të përgjithshme për Istogun me rrethinë, aspektet fonetike, morfologjia, fjalëformimet, çështjet sintaksore, etj.

Studimi “Areali gjuhësor i Istogut me rrethinë” i Gashit, vjen pas një pune të përkushtuar studimore të autorit, si dhe prezantimin e tyre në gazeta dhe revista të ndryshme shkencore.