Vendi ku u mbytën Florenta dhe Florent Mramori - Foto: KALLXO.com

Institucionet Ngushëllojnë Familjen Mramori

Ngjarja tragjike që ka ndodhur sot në lagjen “Kolovica” të kryeqytetit, ku tëvdekur mbetën dy fëmijë të familjes Mramori, ka tronditur gjithë opinionin.

Familjen e Florentes 13-vjeçe dhe Florentit 11-vjeç, e kanë ngushëlluar krerët e institucioneve dhe partive politike.

Kryeministri, Isa Mustafa, i ka shprehur ngushëllime familjes, duke theksuar se tragjedia e tyre i ka prekur të gjithë në përgjithësi.

“Me dhimbje dhe pikëllim të pamasë morëm lajmin tragjik të humbjes së jetës së dy fëmijëve Tuaj. Ndjehemi thellësisht të prekur nga kjo humbje e madhe për Ju dhe për tërë Kosovën. Qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës përjetojnë sot një dhimbje të madhe dhe bashkëndjejnë me Ju. Duke qenë i vetëdijshëm sa vështirë është të gjenden fjalët e duhura të ngushëllimit në tragjedi të tilla, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe timin personal, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta në këto momente të rënda për Ju”, ka shkruar kryeministri në një letër dërguar familjes Mramori.

Familjen e dy vogëlushve e ka ngushëlluar edhe Lëvizja Vetëvendosje.

“Humbja tragjike e jetëve të Florentës dhe Florentit të vogël është ngjarje e rëndë që ka prekur thellë të gjithë qytetarët e Kosovës. Lëvizja Vetëvendosje shpreh ngushëllimet e saj të sinqerta për familjen Mramori e cila sot përjetoi këtë tragjedi kaq të rëndë. Është e vështirë që të përshkruhet me fjalë tronditja me këtë rast, dhe krejt çka mund të bëjmë në këto momente është të ndajmë sadopak dhimbjen me familjen Mramori”, thuhet në një postim në “Facebook” të LVV-së.