Peja - Foto: KALLXO.com

Institucionet në Pejë koordinohen kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe prostitucionit

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Pejës, Agim Kurmehaj, ka mbajtur sot takim me zyrtarët përgjegjës policorë të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore, me ata për migrim dhe të huaj si dhe drejtorin e Drejtorisë se inspektoratit komunal në Pejë dhe zyrtarë nga ATK-ja .

Takimi i mbajtur në Prokurorinë Themelore të Pejës kishte për qëllim hartimin e planit gjashtëmujor të veprimit për luftimin e kriminalitetit, me theks të veçantë në trafikimin e qenieve njerëzore, prostitucionit dhe mbrojtjen e të miturve si viktima të këtyre veprave kriminale, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

“Si konkluzion i përbashkët u nxor identifikimi i lokaleve të cilët merren me këtë dukuri, posaçërisht ato lokale të cilat gjenden pranë objekteve shkollore, dhe trajtimi me prioritet të veçantë i këtyre rasteve ku viktima janë të miturit”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Përveç Prokurorisë Themelore të Pejës dhe Drejtorisë së Policisë Kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në luftimin e këtyre aktiviteteve kriminale do përfshihen edhe zyrtarë nga ATK, inspektoratet komunale dhe sektori kufitar policor.