Stacioni i Autobusëve në Prishtinë gjatë largimit të njerëzve drejt Hungarisë në fillim të vitit 2015

Institucionet e Mohojnë 'Eksodin' e Ri

Dhjetëra qytetarë kishin dalë mbrëmë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, për të hipur në autobusin që shkon drejt kryeqytetit serb.

Disa prej tyre i thanë ekipit të RTV21 se po e prisnin autobusin e linjës Prishtinë – Beograd, duke pasur synim daljen në shtetet e Bashkimit Europian në mënyrë ilegale nga Hungaria.

Njëri prej personave që pranoi të fliste tha se po ia mësynte Hungarisë. “Do të dal në këmbë në Hungari. Këtu s’ka sen”, tha ai.

Ndërsa, një qytetar tjetër tha se do të shkojë dhe kurrë nuk do të kthehet në Kosovë.

“S’po ki kah me ia mbajtë… Veç 300 euro mi pasë këtu kisha ndejt”, tha ai.

Kurse, një tjetër tregoi se porsa e ka përcjellë djalin, të renë, nipin dhe mbesën. “Edhe vëllavi me të shoqen dhe katër fëmijë shkuan”, tha ai.

Në një prononcim për RTV21, ministrja në detyrë e Integrimeve Europiane, Mimoza Ahmetaj, ka thënë se nuk ka indikacione për një valë të re të largimit të qytetarëve kosovarë drejt shteteve të BE-së.

“Nga të dhënat që i kemi fluksi i udhëtarëve që qarkullojnë në dalje nga Kosova është në shifra, parametra normalë. Nuk ka ndodnjë rritje dhe nuk ka ndodnjë rrezik të numrit të emigrantëve ilegalë“, tha Ahmetaj.

Ndërsa, përmes një komunikate, Policia thotë se nuk bëhet fjalë për kurrfarë eksodi të qytetarëve dhe se nuk ka vend për shqetësime të tilla.

Arsyet e largimit të qytetarëve nga Kosova sipas një hulumtimi të Grupit për Studime Juridike dhe Politike janë kryesisht ekonomike.

Kosova është përballur me një eksod masiv të qytetarëve në fund të vitit 2014 dhe fillim të vitit 2015.

Raportin e plotë video mund ta shihni në këtë link. /21Media