Konferenca për adaptimin e komunave me ndryshimet klimatike - Foto: Facebook/ Mytaher Haskuka

Institucionet dhe OJQ-të diskutojnë për adaptimin e komunave me ndryshimet klimatike

Në Prevallë është mbajtur sot konferenca “Adaptimi i komunave në ndryshimet klimatike”, e organizuar nga Komuna e Prizrenit.

Në këtë konferencë kanë marrë pjesë përfaqësues të komunave të ndryshme si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Qëllimi i konferencës ishte organizimi i komunave dhe institucioneve kompetente që të bëhen agjentë ndryshimi dhe të kenë parasysh ndryshimet klimatike kur planifikojnë investime kapitale.

Mytaher Haskuka, kryetari i Komunës së Prizrenit, në hapje të konferencës ka theksuar rëndësinë e temës së trajtuar e posaçërisht efekteve të ndryshimeve klimatike që tashmë po ndihen në formë të vërshimeve të shpeshta dhe serioze, zjarreve të shpeshta, rrezikimit të ujërave nëntokësore, etj.

“Duhet të planifikojmë më parë dhe jo të luajmë rolin e zjarrfikësve kur hapet zjarri. Duhet te ndërmarrim urgjentisht masa për t’i zbutur efektet e ndryshimeve klimatike”, shtoi ai.

Shkipe Deda Gjurgjeala, udhëheqëse e programit të mjedisit në UNDP, shtoi se organizata që ajo përfaqëson ka punuar rreth këtyre çështjeve që nga 2011 dhe së fundmi ka përkrahur Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në draftimin e Strategjisë për Ndryshime Klimatike 2019-2028, e cila është aprovuar në Kuvend dhe tani mund të  ndërmerren masat e parapara nga kjo strategji.

“Kosova fatkeqësisht nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara dhe fatkeqësisht nuk e ka të lejuar qasjen në Fondin Global për Mjedis dhe Fondin e Gjelbër për Klimën. Përkundër kësaj, ne jemi munduar të gjejmë mënyra për ta mbështetur strategjinë dhe të punojmë me komuna. Kemi filluar një pilot-projekt në Prizren me ndihmën e Agjencisë Austriake për Zhvillim, projekt i cili do të zbatohet gjatë 2 viteve të ardhshme. Në kuadër të këtij projekti do të themelohet Green Growth Center, e cila udhëhiqet nga kryetari i Komunës”, tha ajo.

Qendra do të bëjë identifikimin dhe inventarizimin e ndotësve të ajrit dhe sipas tyre do të zhvillohet Plani Lokal i Ndryshimeve Klimatike me qëllim të reduktimit të ndikimit negativ të këtyre ndotësve në shëndetin e qytetarëve.

Tutje, përfaqësuesit nga komunat e Rrafshit të Dukagjinit diskutuan dhe shprehën sfidat dhe shqetësimet e tyre në lidhje me këtë temë.

Hilmi Shala, nënkryetar i Komunës së Mamushës, tha se problem kryesor që komuna që përfaqëson ai janë vërshimet dhe se Mamusha është “shumë e ndjeshme ndaj fatkeqësive natyrore”.

Agron Kuçi, kryetari i Komunës së Junikut, ndau të njëjtat shqetësime në lidhje me vërshimet  dhe po ashtu shprehu brengën e tij rreth planeve për ndërtimin e hidrocentraleve në këtë komunë.

“Jemi të shqetësuar me politikat e Ministrisë e cila parasheh ndërtimin e 5 hidrocentraleve përgjatë Erenikut”, tha ai.

Po ashtu, Kuçi shtoi që pema e gështenjës në brezin e ulët ka filluar të thahet dhe kjo është shumë shqetësuese për banorët.

“Gështenja është një pemë shumë e rëndësishme për komunën tonë pasi shumë familje gjenerojnë të ardhura nga kjo pemë”, tha ai.

Kryetarët e komunave të tjera në fjalën e tyre treguan shqetësimet dhe sfidat e komunave që ata përfaqësojnë.

Ata theksuan kapacitetet e dobëta për të trajtuar këto probleme, veçanërisht ndaj fatkeqësive natyrore.

Krahas kësaj u shprehën shqetësime rreth prerjeve ilegale, keqmenaxhimit të mbeturinave, rrëshqitjeve të dheut, etj.

Disa nga propozimet dhe rekomandimet që dolën nga diskutimi përfshijnë shqiptimin e dënimeve ndaj krimeve ekologjike, bashkëpunim me nivelin qendror, përkrahjen më të madhe nga ministritë për komunat, bashkëpunim ndërkomunal, etj.

Në këtë konferencë morën pjesë edhe  përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët përgëzuan një iniciativë dhe ngjarje të tillë, por shtuan së tani e tutje duhet te ketë më shumë punë në këtë drejtim.

Nehat Bojaxhiu nga organizata joqeveritare Environment and Community Development tha se plani dhe strategjia duhet të zbërthehen në plane lokale të veprimit  dhe duhet të formohen grupe punuese që të punojnë urgjentisht në këto plane.

Në fund të konferencës, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, u dakorduan që nesër të realizojnë një aksion për heqjen e mbeturinave në ‘zonën kufitare’ mes komunave të tyre.