Instalacion kundër vdekjeve në vendin e punës

Para ndërtesës së qeverisë Kushtrim Mehmeti nga organizata joqeveritare “Beyond the Wall” vendosi instalacionin “Martirët e Ndërtesave”, kundër vdekjeve të punëtorëve në vendin e punës.

Instalacioni përbëhet nga vetë artisti që ka në kokë kapelën e sigurisë së punëtorëve të ndërtimit.

Rreth tij ka shirita policorë që vendosen në rast vdekjeje, persona të shtrirë të vizatuar që gjithashtu paraqesin vdekjet dhe një karrige që vendoset nëpër të pame kur vdes dikush.

“[Instalacioni] është thirrje, është zë i atyre njerëzve që po vdesin në vende pune”, tha Mehmeti.

Ai duke folur për vdekjet e punëtorëve situatën e krijuar e quajti gjendje lufte.

“Fakti që për 24 muaj kanë vdekur 24 punëtorë tregon që kjo është gjendje lufte e jo gjendje pune”, tha Kushtrim Mehmeti.

Vdekjet në vendin e punës vitin e kaluar janë shtuar në raport me parvjet.

Derisa në 2016-ën kishte nëntë vdekje në vendin e punës, sipas Lëvizjes “Fol” vetëm në 10 muajt e parë të 2017-ës në KosOvë kanë vdekur 15 punëtorë.

Në qendër të Prishtinës aksion simbolik në Ditën Ndërkombëtare të Punës zhvilloi edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Nazlie Bala nga ky subjekt politik foli për papunësinë dhe të drejtat e shkelura të punëtorëve.

Ajo deklaroi se sipas të dhënave të Bankës Botërore papunësia në Kosovë në vitin 2017 është rritur 3 për qind.

“Edhe ata që paguhen në fakt keqpaguhen. Kaq nuk mjafton as për bukë dhe a ka turp më të madh sesa të punosh e të mos arrish as bukë të blesh”, tha Bala.

Sot në orën 11:00 Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës do të protestojë për të drejtat e punëtorëve.