Foto-ilustrim

Inspektorja: I Akuzuari nuk Pati Leje Ndërtimi

Në gjykimin kundër ish- drejtorit të Inspeksionit në Komunën e Fushë-Kosovës dhe pronarit të kompanisë ndërtimore “Kabashi AM” dëshmoi Inspektorja e ndërtimit Valbona Morina.

Morina duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Mirushe Llugiqi tregoi se në muajt gusht-shtator të vitit 2013 kishte dalë në Fushë-Kosovë për inspektimin e objekteve.

Ajo deklaroi se kërkoi lejen e ndërtimit të objekti që ishte duke e ndërtuar kompania “Kabashi AM”, por sipas saj përfaqësuesi i kësaj firme tani i akuzuari Atdhe Kabashi nuk e tregoi atë leje, pasi nuk e kishte.

“Unë pas këtij inspektimi kam përpiluar një procesverbal dhe kam kërkuar nga firma ‘Kabashi AM’ ndërprerjen e punimeve, mirëpo edhe përkundër kësaj kjo firmë ka vazhduar punimet, edhe pse nuk ka qenë e pajisur me leje të ndërtimit,” tha dëshmitarja.

Dëshmitarja më tutje deklaroi se e ka njoftuar drejtorin Jakup Dumani tash të akuzuar, mirëpo i njëjti tha se i kishte thënë “ta shohim deri ku kanë arritur proceduarat e rregullimit të dokumentacioneve të kësaj firme”.

Inspektorja-dëshmitare tha se Komuna e Fushë-Kosovës është dashur të ndalojë punimet e kompanisë “Kabashi AM”.

“Komuna është dashtë të marrë vendim për ndërprerjen e punimeve, mirëpo unë s’e di se pse nuk është marrë ky vendim, pasi që unë kam shkuar në pushim, ndërsa sa i përket vendimit për rrënim të objektit ka qenë jo i duhur, sepse ka pasur rrezik, sepse aty afër ka pasur objekte,” deklaroi Inspektorja.

Muhamet Humolli, avokati i sh-drejtorit Jakup Dumani, e pyeti dëshmitaren se a ka përfituar materialisht i mbrojturi i tij nga ky rast.

Dëshmitarja kësaj pyetje iu përgjigj me fjalët “nuk e di”.

Jakup Dumani akuzohet nga Prokuroria Themelore ne Prishtinë se gjatë viteve 2013-2014 në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Fushë-Kosovës ka keqpërdorur detyrën e tij zyrtare me qëllim të përfitimit për firmën “Kabashi AM” sh.p.k.

Sipas aktakuzës, Dumani nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin  e objektit afaristo – banesor të ndërtuar nga firma “Kabashi AM” me pronar Atdhe Kabashin, edhe pse këto veprime ishin kompetencë e tij.

Ndërsa  Atdhe Kabashi akuzohet se gjatë viteve 2013 – 2014 në cilësinë e pronarit të firmës “Kabashi AM” sh.p.k me seli në Prishtinë ka vepruar ne kundërshtim me Ligjin për Ndërtimin, pasi në mënyrë të kundërligjshme pa leje ndërtimi ndërtoi objektin banesor në zonën  kadastrale në Fushë-Kosovë.