Foto: Facebook/Komuna e Prizrenit

Inspektoriati zbulon 562 kilogramë mish të prishur në "Super Viva"

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se sot janë asgjësuar rreth 562 kilogramë mish me afat të skaduar në maretin “Super Viva”.

“Drejtoria e Inspektoratit, gjatë kontrollit të rregullt inspektues më 13 mars ka konstatuar se në supermarketin Super Viva, e cila gjendet në magjistralen Prizren-Gjakovë, janë hasur produkte ushqimore me prejardhje shtazore me afat të skaduar dhe me ndryshime organoleptike (pamje, era, ngjyra, shija)”, thuhet në njoftim.

Tutje është treguar edhe sasia dhe lloji i mishit.

“Mish pule e markës AIA me afat të skaduar në sasi 225.6 kg X 3.60 euro për kg, gjithsej 812.16 euro, Mish pule (kaqika) 12.6 kg X 1.70 euro për kg, gjithsej 21.42 euro,  Mish gjedhi i papaketuar dhe me ndryshime organoleptike në sasi 324.70 kg X 6.30 euro euro, gjithsej 2045.61 euro”, thuhet në njoftim.

Sipas komunës mishi u asgjësua pasi që ishte i papërdorshëm.

“E gjithë kjo sasi që gjendej në depon logjistike të njësisë së këtij supermarketi, ku përgatitet ushqimi për restorantet tyre, ishte e papërdorueshme për konsum dhe për këtë arsye u asgjësua. Ndërkaq inspektori i veterinarisë ka propozuar që për ndërmarrjen në fjalë, të merren masat sipas ligjeve aplikative. Pa dyshim se një prej prioriteteve kryesore në punën e Drejtorisë së Inspektorateve do vazhdojë të mbetet ruajtja dhe përkujdesi ndaj shëndetit të qytetarëve. Prandaj Drejtoria e Inspektorateve do të vazhdojë të qëndrojë e pa kompromis ndaj çdo shkelësi të ligjit, i cili me veprimtarinë e tij do e rrezikojë shëndetin e qytetarëve!”, thuhet tutje.