Ramiz Kelmendi. Foto: Facebook

Inspektori: Kompanisë së Ramiz Kelmendit iu bllokua konto për t'i paguar gjobat

Në tryezën e organizuar nga Internews Kosova lidhur me Mbrojtjen e Konsumatorëve u tha se inspektorët janë detyruar që përmes përmbaruesve privat të mbyllin llogari të bizneseve të mëdha në vend, për shkak të shmangies së gjobave.

Lulëzim Syla, kryeinspektor në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë tha se, vitin e kaluar 300 raste të inspektimit janë zgjedhur, duke shtuar se për shumë nga rastet nuk po marrin përgjigje nga Gjykatat.

“Ne kemi një numër të vogël të inspektorëve dhe e bëjmë të pamundurën që në afate ligjore t`i kryejmë të gjitha ato mangësi dhe të gjeturat në terren. Shtatë inspektimet që kanë ardhur tek ne dallojnë pasi që disa raste zgjidhen më shpejtë. Gjatë vitit të kaluar mbi 90 përqind të rasteve prej 300 inspektimeve i kemi zgjidh, shumica janë dënuar, ka shumë pak që i kemi dërguar në gjykatë sepse po marrin shumë kohë dhe nuk po marrim përgjigje”, tha ai.

Inspektori i rajonit të Prizrenit, Islam Thaçi, tha se për dallim nga vitet e kaluara, këtë vit do të fillojnë t`i publikojnë emrat e marketeve të cilët kanë rënë ndesh me ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

“Në Prizren paralelisht me aferën e mishit të importuar nga Belgjika, kemi zhvillu një aksion që rezultoi se në një hipermarket të ETC-së, është gjetur një sasi 750 kg mish, ku ata na atakonin se ka afat edhe një ditë, por që gjendja e mishit ishte aq e dëmtuar. Pastaj është ngritur kallëzimi penal dhe nga gjykata nuk kemi asnjë përgjigje ku ka mbetur ky rast”, tha ai.

Ridvan Berisha, koordinator i Inspektoratit Komunal të Ferizajt, sa i përket mishit, tha se biznesit të deputetit të LDK-së, Ramiz Kelmendi, i është bllokuar llogaria përmes përmbaruesve privatë për shkak të shmangies së pagesës së gjobave të shqiptuara.

“Në Ferizaj janë 3 thertore të licencuara dhe 10 mishtore, dhe inspektohen çdo ditë. Ua kemi tërhequr vërejtjen që të respektohet ligji por për produkte të tilla duhet të bëhet ankese pranë inspektoratit dhe të administratës tatimore dhe të caktohet një datë dhe një orë kur do të bëhet konfiskimi dhe asgjësimi. Dhe për të njëjtat biznese i lirojmë nga tatimi. Paramendojeni, interesi i biznesit, nuk e ndjekë anën ligjore por anën tjetër, bëjnë marrëveshje me furnitorin për të bërë kthimin e produktit të skaduar”, tha Berisha.

Sipas tij, Gjykata ka kthyer lëndë që kanë të bëjnë me marketet “Super Viva”, me arsyetimin ‘si lëndë e pasaktë’.

“Nga këto tre kallëzime penale, dje na u kthehet një lëndë nga Gjykata për shkak të mos identifikimit të personit përgjegjës. Ka qenë fjala për ‘Super Viva’, gjykata na i kthen, se është dashur me marr si përgjegjës menaxherin dhe jo pronarin. Ne kemi pasur rast kur i kemi marr menaxherit, p.sh. ELKOS-i, kur vet pronari Ramiz Kelmendi jep një autorizim për përfaqësim juridik menaxherit. Kurse rasti në fjalë, në ‘Super Vivë’, e kishte në kontratë si menaxher i pikës dhe ne e kemi pasë me ligj që ta ndjekim direkt Mustafë Rexhepin, dhe neve na e kthen gjykata si lëndë të pasaktë. ELKOS-i nuk e ka paguar si gjobë dhe përmes përmbaruesve privat ju është blloku llogaria kryesore e marketit dhe që pastaj ka qenë i detyruar për ta paguar”, është shprehur i koordinator i Inspektoratit Komunal të Ferizajt.

 

https://kallxo.com/mbrojtja-e-konsumatoreve-raportimet-e-kallxo-nxjerrin-ne-pah-te-metat-e-institucioneve-ne-zbatimin-e-ligjit/

.