Ilustrim

Inspektorët e MTI-së javën e ardhshme në aksion për konfiskimin e lodrave nga Kina

Inspektorët e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë nga java e ardhshme do të fillojnë me konfiskimin e lodrave me origjinë nga Kina, të cilat paraqesin rrezik për shëndetin e fëmijëve.

Këtë e ka bërë të ditur ministri Bajram Hasani në një postim të tij në rrjetet sociale.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani në një postim të tij në Facebook ka shkruar se është shumë i shqetësuar me rrezikun që paraqesin lodrat për fëmijë të cilat pas analizave kanë rezultuar si tejet të dëmshme për shëndetin.

Si ka shkruar se nga java e ardhshme do të fillojnë me zbatimin e një plani të ri përmes së cilit do të konfiskohen të gjitha lodrat që paraqesin rrezik për shëndetin.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë që nga marrja e analizave të lodrave që kanë rezultuar të rrezikshme është shumë e shqetësuar. Pas ndalesës që i kemi bërë importimit të lodrave të tregut aziatik  (Kina) që nuk i plotësojnë kriteret dhe janë me rrezik të lartë, inspektorët tanë nga e hëna do të fillojnë zbatimin e një plani operativ rigoroz për  konfiskimin e këtyre lodrave edhe në tregun e brendshëm”, ka shkruar ministri Hasani.

Ai ka bërë të ditur se janë në pritje të lejes Ministria e Ambientit dhe Planifikimit për  të bërë asgjësimin e të gjitha lodrave të konfiskuara.

Gazeta Jeta në Kosovë ka publikuar një varg hulumtimesh lidhur me rrezikun që paraqesin lodrat me origjinë nga Kina. LINK