Inspektorati i Punës Inspekton Mediat
Inspektorati i Punës brenda një muaji do të fillojë inspektim i të gjitha mediave në vend për të parë se sa po respektohen të drejtat e punëtorëve dhe se a ka punëtorë pa kontratë të punës.
Sipas Zekirja Shabanit, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK), nga 400 anëtarë që janë të anëtarësuar në AGK, 30 % nga ta kanë deklaruar që janë pa kontrata pune.
Inspektorati i Punës një gjë të tillë do ta bëjë me paralajmërim, ndërsa inspektimi fillimisht do të bëhet përmes disa pyetësorëve, i cili do t’u dorëzohet mediave një muaj më herët.
“Sot e nisëm një lloj aksioni, që është aksion i Inspektoratit në bazë të ligjit dhe që ne e përkrahim këtë aksion që të inspektohen të gjitha mediat në vend për zbatimin e Ligjit të Punës për të parë se në çfarë gjendje punojnë dhe për të parë se çfarë shkeljesh bëjnë pronarët e mediave ndaj punëtorëve”, tha Zekirja Shabani, kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës.
Shabani theksoi se një inspektim i tillë nuk është kërcënim për mediat.
Ndërsa Basri Ibrahimi, kryeinspektor i Punës, tha se qëllimi i vetëm është që të shikohen se a po plotësohen kushtet për të gjithë punëtorët, përfshirë edhe gazetarët.
Sipas tij, inspektime të tilla do të bëhen në kompani me mbi 5 punëtorë, ndërsa kërkoi nga të gjithë gazetarët në vend që sa më shumë t’i paraqesin në Inspektorat shkeljet që bëhen nga pronarët e mediave.
“Në qoftë se ju nuk e merrni guximin që t’i paraqitni para Inspektoratit problemet që i keni atëherë si do të kemi mundësi që edhe punëtori i thjeshtë, i cili nuk e din as si me shkru, as ku me u drejtu, t’i paraqes problemet e tij. Kjo është edhe një test që ne si shoqëri me u ballafaqu me problemet që ne i kemi”, tha Basri Ibrahimi.
“Merreni guximin dhe pasqyroni të gjitha problemet që i keni. Është në interesin e juaj, është edhe në interesin e medias ku ju punoni, sepse në qoftë se në këtë fazë ne i eliminojmë ato të drejta që i kanë mediat dhe pronarët e juaj, do ta shmangin edhe rrezikun për me u gjobitë por edhe ju për me e përmirësu gjendjen e punës, qoftë në orarin punës, qoftë tek pagesa, qoftë te pushimi i lehonisë si dhe tash Ligji për Gjidhënie”.
Por Ibrahimi nuk kishte të dhëna të sakta se sa punëtorë nga mediat janë ankuar deri me tani, as numrin e gjobave që janë shqiptuar ndaj mediave deri me tani. Megjithatë, ai theksoi se shumica e vendimeve deri me tani janë në favor të punëtorëve të mediave.
Ai tha se çdoherë kanë shkuar me gjoba minimale, shkaku që mos të rrezikohet edhe mediumi dhe që punëtorët të mbeten në rrugë dhe pa punë.
Ibrahimi theksoi po ashtu se inspektim do të bëhet edhe nëse punëtorëve u jepen pagat me rregull dhe nëse një gjë e tillë nuk ndodhë atëherë do të pasojnë gjobat ndaj shtëpive mediale.
Por, në këtë inspektim nuk do të përfshihen punëtorët që janë praktikantë në media, edhe në qoftë se ata punojnë për më shumë se 3 muaj.
Për praktikantët Ibrahimi tha se asnjë prej tyre nuk duhet të jetë pa kontratë pune. Sipas tij, ata duhet të kenë kontratë, por pa pagesë.