Foto: Atdhe Mulla

Inspektorati paralajmëron taksitë për respektimin e numrit të veturave

Drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Adonis Tahiri ka paralajmëruar  kompanitë e taksive që do t’ua marr licencën nëse vazhdojnë të mbajnë në qarkullim më shumë vetura se sa që u është lejuar.

Ai përmes rrjetit social Facebook ka shkruar se nga inspektimet e vazhdueshme në terren, kanë vërejtur se disa nga kompanitë e taksive, kanë më shumë vetura në qarkullim, sesa leje nga organi përkatës.

“Deri tani, kudo që janë hasur vetura të tilla, janë dhënë gjoba. Tash e tutje, kontrolli do të rritet në këtë drejtim, dhe masat që do t’i ndërmarrin inspektorët do të jenë më të ashpra. Duke e pasur parasysh kërkesën e vazhdueshme për hapjen e kompanive të reja të taksive, njoftojmë kompanitë aktuale që t’iu përmbahen rregullave, për shkak se në të kundërtën rrezikojnë t’i humbin licencat.”, ka shkruar Tahiri.

Tutje drejtori i Inspeksionit ka theksuar se ‘nuk mund të operohet në Kryeqytet, me leje nga komunat e tjera, e aq më pak pa leje fare’.

Drejtori i Inspeksionit në Prishtinë, Adonis Tahiri në Facebook