Inspektorati në aksion, ndalon ndërtimet pa skele mbrojtëse

Inspektorati i Punës ka marrë  vendim ku i ndalon disa kompanive të zhvillojnë punimet ndërtimore pa qenë të paisur me skele dhe mjete personale të punëtorëve për siguri në punë.

Ende nuk dihet nëse ky vendim vlen për të gjitha kompanitë ndërtimore, mirëpo disa prej këtyre kompanive kanë raportuar në KALLXO.com se kanë pranuar një vendim të tillë që sipas tyre është i pakuptimtë.

Këto kompani që kanë pranuar  vendim për ndalim të punimeve gjatë ditës së djeshme po konsiderojnë se ndërprerja e punimeve pa paralajmërim për furnizim me skele shkakton dëme materiale për bizneset dhe punëtorët e tyre, raporton KALLXO.com.

Arsim Mehmetukaj, përfaqësues i një kompanie ndërtimore (emrin e së cilës deshi ta mbajë anonim), tha se nëse vendimi i inspektoratit vlen për të gjitha kompanitë ndërtimore në Kosovë, furnizimi me skele i të gjithave është i pamundur.

Kjo për shkak se brenda tregut të Kosovës, sipas tij nuk gjenden skele as për të furnizuar 5 përqind të kompanive, ndërsa tha se është dashur t’i ipet kohë për furnizim sepse ndalimi i menjëhershëm i punimeve i detyron t’i largojnë edhe punëtëorët nga puna.

“Ndoshta edhe ekziston në ligj edhe besoj që ekziston, mirëpo problemin e kemi që ne para 20 ditëve kanë ardhë inspektorët nja dy herë dhe e kemi vendimin prej tyre të lëshuar që i plotësojmë kushtet për të punuar. Mendojmë që në këtë fazë të ndërtimit nuk janë të nevojshme skelet.”

Ngjajshëm, Qemajl Pozhegu nga kompania ‘Pozhegu Brothers’, tha se skeleria për objektin e tij, në këtë fazë është kërkesë jo realiste.

Ai tha se nuk është kundër përdorimit të skeleve por tha se duhet të ipet afat për të gjithë kompanitë njësoj që të mos dëmtohet konkurrenca.

“Na ka thënë me ndalu punën menjëherë, pa na dhënë afat, rreth 100 punëtorë munden me metë pa punë me këtë vendim. Unë kam pasë inspektim të mëherëshëm dhe kam marrë raport pozitiv. Nuk është në rregull, krejt ndërtimet në Kosovë me qit skele nuk ki në treg skele. Nuk bën në mënyrë arbitrare”, tha Pozhegu.

KALLXO.com ka siguruar vendimet e lëshuara nga inspektorati për të dy këto kompani dhe janë pothuajse të njëjtë.

Inspektorati në vendimin e tij konstatoi se mungojnë mburoja rrethuese me skele dhe mjetet personale të punëtorëve për siguri në punë.

Lidhur me këto vendime, KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Inspektoratit të Punës dhe deri më tani nuk ka pranuar përgjigje.

Ndryshe, këtë vit në Kosovë është shënuar një numër i konsiderueshëm i vdekjeve në punë, kryesisht në sektorin e ndërtimtarisë.

Lidhur me këtë ka pasur reagime dhe protesta.

KALLXO.com ka raportuar lidhur me këto raste.

Aksidentet në vendin e punës dhe efikasiteti i Ligjit të Punës në Kosovë 

KMDLNj: 9 Punëtorë të Vdekur në Vendin e Punës