Rektorati i Universitetit të Prishtinës | Foto KALLXO.com

Inspektorati konfirmon hulumtimin e KALLXO.com, kërkon anulimin e avancimit të dyshimtë në UP

Inspektorati i Punës ka hedhur poshtë vendimin e Senatit të Universitetit të Prishtinës për përzgjedhjen e Muhamed Çitakut në pozitën profesor-asistent në Departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik.

Lidhur me këtë avancim kishte pasur ankesa nga kundërkandidati Vehbi Miftari.

Gazeta Jeta në Kosovë vitin e kaluar kishte publikuar një hulumtim që vë në pah avancimin e parregullt të Çitakut.

Universiteti i Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me atë se si do të trajtohet vendimi i Inspektoratit.

Çështja e këtij konkursi nuk po trajtohet tash e një kohë në Senatin e Universitetit të Prishtinës që vazhdimisht ka shtyrë pikat e diskutimit lidhur me ankesat e kandidatëve për vendimet e senatit.

Ngjajshëm, edhe në mbledhjen e kaluar që u mbajt më 10 qershor të këtij viti, para se vendimi i inspektoratit të merrte formë të prerë.

Miftari thotë se po pret që senati ta zhbëjë padrejtësinë ndërkaq Çitaku nuk ka komentuar lidhur me pretendimet e kundërkandidatit të tij.

Historiku i konkursit

Më 27 prill të vitit 2018, Universiteti i Prishtinës shpalli konkurs për zgjedhjen e personelit akademik në disa fakultete.

Pjesë e këtij konkursi ishte pozita për Profesor Asistent në Departamentin e Gjuhës Shqipe në Fakultetin Filologjik

Muhamed Çitaku ishte propozuar në pozitën profesor-asistent në Departamentin e Gjuhës Shqipe të Fakultetit Filologjik për disa lëndë nga komisioni recensues, përkundër që nuk ishte më i poentuari në garën për këtë pozitë.

Më i poentuari në këtë garë ka dalë Vehbi Miftari, kundërkandidati i Çitakut. Komisioni Recensues i përbërë nga Sali Bashota (Kryetar), Qibrije Demiri- Frangu (Anëtare) dhe Zejnullah Rrahmani (Anëtar) i ka dhënë disa arsye pse kanë vendosur t’ia propozojnë Senatit kandidatin e dytë për nga përgatitja.

Për komisionin recenzues më shumë kishte peshë mosha e kandidatit dhe “inovacioni” i tij, krahasuar me kriteret tjera siç janë: numri i punimeve shkencore.

Avancimi i Çitakut ishte votuar nga Senati i Universitetit të Prishtinës më 20 korrik të vitit 2018 ndërkaq përfundimisht u vulos më 20 shtator të po atij viti.

Ndaj këtij vendimi, Miftari kishte bërë ankesë në Komisionin për Ankesa në senat.

Në ndërkohë Gazeta Jeta në Kosovë mori vesh se kandidati Çitaku veçse kishte filluar punën në UP.

Megjithatë, Universiteti i Prishtinës dhe përkatësisht Fakulteti Filologjik refuzuan t’u përgjigjen pyetjeve se pse kishte filluar punën ky kandidat pa u përfunduar procedura e ankimimit.

Ngjajshëm, Çitaku nuk i ishte përgjigjur pyetjeve të Gazetës vitin e kaluar e as pyetjeve të djeshme.

Kundërkandidati i tij megjithatë nuk u ndal duke bërë ankesa nëpër të gjitha shkallët e institucioneve.

Ai u ankua edhe në Inspektoratin e Punës, të cilët më 15 shkurt 2019 morën vendim se ankesa e Miftarit ishte e bazuar dhe se “ I bëhet vërejtje Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’ që të anulojë vendimin e përzgjedhjes së kandidatit Muhamed Çitakut dhe të kthehet lënda në rivlerësim”.

Lidhur me këtë vendim, UP ka pasur kohë tetë ditë për përgjigje.

Ky vendim më pas mori formë të prerë më 14 mars të këtij viti.

Lidhur me procedurat e parregullta të zgjedhjes së kandidatit Çitaku mund të lexoni më poshtë:

Avancimi i dyshimtë në Universitetin e Prishtinës