Foto: Kallxo.com

Inspektorati kërkon informacione për vdekjen Erzen Hysenit nga aksidenti në punë

Erzen Hyseni, 22 vjeçari nga Vushtrria, vdiq disa ditë më parë, pas plagëve të marra nga zjarri i gjeneratorit në vendin ku ai po punonte.

Në lidhje me vdekjen e tij, Prokuroria Themelore në Mitrovicë nuk ka hapur fare procedurë hetimore.

Në një përgjigje për KALLXO.com, vetë prokuroria ka konfirmuar se nuk është konstatuar për ndonjë element të veprës penale.

“Në lidhje me rastin në fjalë nuk është iniciuar procedurë penale. Pas daljes në vendngjarje të ekspertit të pavarur të elektrikes dhe intervistimit të dëshmitarëve të rastit, prokurorja e rastit ka konstatuar që nuk ka elementë të veprës penale, pasi që dyshohet që deri tek ky aksident ka ardhur si pasojë e mos-kujdesit të të ndjerit gjatë mbushjes së gjeneratorit “thuhet në përgjigjen e prokurorisë.

KALLXO.com ka vizituar familjen e Erzen Hysenit nga Vushtrria.

Vetë babai i Erzenit, Zenel Hyseni, e pranon se djali i tij ka punuar pa kontratë pune.

Hyseni rrëfeu komunikimet e funit që i kishte pasur me të birin.

“U çu u ul më ka kapë përqafe, dhe ma ka tregu rastin, me vetëdije të plotë, tha kështu rryma u ndal gjeneratori u kanë tu punu u hargju benzina, e kemi ndal gjeneratorin e kemi marr benzinën tjetër me qitë, gjeneratori u ndal po ka qenë i ngrohtë, dhe kur ka deshtë me qit, benzina u shpërnda dhe ka ra në një pjesë të ngrohtë të gjeneratorit”, thotë babai i Erzenit duke shpjeguar se ai kishte marrë lëndime të rënda në pjesën e poshtme të trupit.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha për KALLXO.com se nuk ka qenë në dijeni nëse është hapur rast ose jo për vdekjen e 22 vjeçarit nga Vushtrria.

Foto: Kallxo.com

“Nuk jam në dijeni që prokuroria nuk ka hapur fare rast. Vërtet nuk kam koment, mendoj se organet e rendit dhe të drejtësisë janë të thirrur për të bërë punën e tyre dhe ato duhet ta bëjnë punën e tyre. Nëse ata kanë vlerësuar se nuk duhet të hapet rast është vlerësimi i tyre”, tha Tahiri për KALLXO.com.

“Nuk e di për besë, sepse kjo nuk është në kompetencë të komunës që të kontrolloj kontratat e punës, kjo është përgjegjësi e Inspektoratit të Punës”, tha Tahiri për KALLXO.com.

Tahiri tregon edhe se si planifikon t’i ndihmojë familjes Hyseni.

Zenel Hyseni, babai i Erzen Hysenit

“Kemi menduar t’i ndajmë një shumë, një ndihmë momentale për familjen e Erzenit me shumë prej 500 euro por këtë po e bëjmë në bashkëpunimi me Kuvendin e Komunës”, tha ai.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Kryeinspektorin e Punës, Basri Ibrahimi i cili tha se inspektorati po merret me rastin por ende nuk kanë pranuar ndonjë provë që tregon nëse Erzen Hyseni ka qenë punëtor ose jo në kafeteri.

“Inspektorët po merren me rastin, por ende nuk kanë arritur të sigurojnë prova nëse Erzeni ka qenë apo jo punëtor i atij lokali apo ka qenë klient. Inspektorët po vazhdojnë të merren me rastin”, ka thënë Ibrahimi për KALLXO.com.

KALLXO.com ka vizituar edhe vendin ku Erzeni kishte pësuar aksidentin me gjeneratorin, por lokali ishte i mbyllur ndërsa pronarët nuk ishin aty.

Në derë të lokalit ishte e vendosur edhe fotografia e Erzenit e cila lajmëronte se i njëjti kishte vdekur.

Foto: Kallxo.com