Inspektorati i Punës ende nuk e ka gati raportin për vdekjen e të riut në kompaninë ‘Lab Oil’

Të dielën e kaluar në vendin e tij të punës vdiq Krenar Jemini nga Mushtishti i Suharekës.

Ky ishte rasti i parë i vdekjes së një punëtori në vendin e punës, ndërsa 22 raste u shënuan në vitin 2018.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për rastin, ndërsa vdekja e 22 vjeçarit po hetohet edhe nga Prokuroria e Prishtinës.

Kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi ka thënë se ende ky institucion nuk ka përgatitur raportin për shkak se rasti është i ndjeshëm.

Sipas Ibrahimit, ky raport i detajuar do të bëhet gati deri në fund të javës së ardhshme.

“Ende nuk është përpiluar raporti në tërësi. Rasti kërkon me e bë një ekspertizë më të thellë. Unë e kam videon në vendin ku ka ndodhë rasti dhe unë nuk e di sesi ka ndodhë krejt rasti. Janë të autorizuar dy inspektorë ata do t’i përgatisin të gjitha detajet. Në raport do të dalin të gjitha detajet edhe rreth kontratës. Besoj që deri në fundin e javës tjetër do të dal raporti nga inspektorët e autorizuar”, ka thënë kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi për KALLXO.com.

Edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Prishtinës e ka konfirmuar se ende nuk e kanë pranuar raportin nga trupa e Inspektoratit të Punës.

“Ende nuk ka asnjë të re sepse po presim ekspertizën nga Inspektorati i Punës. Besojmë që këto ditë do ta pranojmë raportin”, tha shkurt Imer Beka.