Foto: Komuna e Gjilanit

Inspeksioni i Gjilanit Vazhdon Rrënimin e Objekteve pa Leje

Gjatë ditës së sotme, inspeksioni që funksionon në kuadër të Drejtorissë Komunale të Urbanizmit, ka demoluar disa shtylla të mbindërtimit në objektin e banimit kolektiv në “Rrugën Qarkore”, sikurse që ka rrënuar objektin në rrugën Gjilan-Bujanoc, i destinuar për afarizëm.

Drejtori i Urbanizmit, Valon Shefkiu, i cili ka qenë i pranishëm në terren, ka thënë se pas rrënimit të këtyre objekteve, dy pronarët i janë drejtuar Drejtorisë përkatëse, duke bërë kërkesën për t’u pajisur me leje.

Ai ka ritheksuar se Komuna e Gjilanit do të ketë zero tolerancë ndaj ndërtuesve ilegalë, derisa ka informuar se aksioni i rrënimit do të vazhdoj edhe në ditët ne vazhdim.

Shefkiu ka falënderuar Policinë e Kosovës për asistencën dhe mbështetjen e vazhdueshme.

Gjatë këtij viti, inspeksioni i ndërtimit në Gjilan ka rrënuar katër objekte ilegale, thuhet në komunikatën e lëshuar nga komuna e Gjilanit.

Në dhjetor të vitit të kaluar, emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar një hulumtim rreth një çështjeje të ndërtimeve ilegale në qendër të Gjilanit.

Dy muaj më vonë, komuna e Gjilanit kishte nisur dhe ndërprerë rrënimin e terasave për të cilat raportoi “Drejtësia në Kosovë”.

http://kallxo.com/nis-dhe-ndalet-rrenimi-tarracave-ne-qender-te-gjilanit/