INJECT: Gjyqtarët e kanë keqinterpretuar shumë herë Ligjin për Familje

Iniciativa për Drejtësi dhe Barazi ka bërë  prezantimin e publikimit “Ndryshimi i Ligjit për Familjen – Pasuria e përbashkët dhe mbajtja financiare“.

Drejtoresha ekzekutive e kësaj organizate, Luljeta Aliu tha se nisma për ndryshimin e Ligjit për Familjen ka ardhur për shkak të keqinterpretimit nga ana e gjykatave.

“Kjo ka qenë një nismë në vitin 2017 dhe kam pas shumë fat. Kam përjetu sa pabarazi bëhen në gjykata ndaj grave dhe më është dukur e çuditshme si nuk ekziston një iniciativë, e cila kish me kërku ndryshimin e qasjes shoqërore dhe gjyqësore. Pastaj kam fillu një analizë të ligjit për familjen dhe kam has në shumë gabime teknike dhe terminologjike por edhe në interpretim të saj nga gjykatat dhe gjyqtarët”, tha Aliu.

Ajo shtoi se popullsinë e Kosovës e përbëjnë 51 përqind gra, por sipas saj ato vazhdojmë të jenë të diskriminuara.

“Në fakt gratë e përbëjnë 51 përqind në  popullsinë e Kosovës në shifra. 53 gra janë në fund të studimeve, 99.7 përqind janë të punësuara në arsim në nivelin parashkollor, ndërsa më nivel fillor bie inkuadrimi i grave në punë”, tha ajo.

Ajo tha se gratë po ashtu përjetojnë më shumë dhunë në familje.

“Rreth 40.9 përqind janë deklaruar që janë dhunuar, 68 përqind deklarohen se kanë përjetuar dhunë gjatë jetës tyre, kryesisht në qift, ndërsa ndaj burrave 9.7 përqind, por dhunë tjetër jo në qift”, tha Aliu duke shtuar se vetëm 12% e grave kanë ndonjë pronë në emër të tyre.

Ndërsa, kryetarja e Komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, tha se propozimet e ndryshimit për Ligjin e Familjes janë bërë dhe se tashmë është publik në gazetën zyrtare.

Ajo shtoi se së shpejti do të bëhet edhe kodi civil nëse vendi nuk shkon në zgjedhje.

“Draft Kodi Civil sipas informacioneve mund të vijë në komision më muajin maj dhe presim që ta shqyrtojmë nëse vendi nuk shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Po ashtu ju bëjë thirrje organizatave që të marrin pjesë në grupet e punës pasi siç e kam marrë vesh nuk ka avancime në trajtimin e pozitës së gruas”, tha Haxhiu.