Inicohet ndërtimi i bustit për Senatorin Bob Dole

Kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimin e ndërtimit të bustit për senatorin Bob Dole.

Në këtë ceremoni, Haradinaj ka thënë se është një moment mjaft i mirë të urojë ditëlindjen e mikut të Kosovës, senatorit Bob Dole.

“Nga sot, ne edhe po synojmë edhe nisjen e një projekti për një shtatore të senatorit Bob Dole. Janë 29 vite më herët, është viti 1990, është vizita e parë e një delegacioni ndërkombëtar, Bob Dole po qëndronte në Grand në një takim me presidentin historik Ibrahim Rugova. Kjo vizitë ishte një kthesë e shumë vizitave, kjo është vazhduar edhe me përkrahjen e vitit 1999 e në vazhdimësi. Ne jemi të gëzuar që sot i drejtohemi në shenjë falënderimi senatorit Bob Dole. Zoti e bekoftë Kosovën, Zoti e bekoftë Amerikën.”. ka thënë Haradinaj gjatë fjalimi të tij.

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  Philip Kossnet, i cili është shprehur i nderuar që është dëshmitar i këtij nderimi, duke thënë se nuk është befasi se Dole ka qëndruar përkrah Kosovës.

“Unë dhe gruaja ime jemi të nderuar që jemi dëshmitar të këtij nderimi. Edhe ambasadori Bob Dole është krenar me këtë.  Bob Dole i ka prirë gjithmonë kauzës së lirisë në tërë botën, prandaj nuk është befasi që qëndroi përkrahë Kosovës. Qeveritë tona ndoshta nuk do ta pajtohen gjithmonë për politikat. Por në të njëjtën kohë e kemi parë që raportet politike mes Kosovës dhe Amerikës nuk varen nga një parti apo një politikan”, ka thënë Kossnet.

Kosnett në fjalimin e tij ka kërkuar që të përqendrohemi në vlerat dhe historitë që i kanë bërë bashkë Kosovën dhe Amerikën, duke kërkuar që të vazhdojnë përpjekjes që të bëhet një Kosovë më e mirë për të ardhmen e fëmijëve.