Iniciativa e Agim Bahtirit për ‘bashkimin’ e Mitrovicës, Qeveria dhe AKR nuk dinë asgjë

Qeveria e Kosovës nuk është në dijeni për iniciativën e kryetarit të Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri për “bashkimin” e kësaj Komune, të paktën kështu ka bërë të ditur për KALLXO.com Donjeta Gashi, zëdhënëse e Qeverisë.

“Pak më herët kemi marrë një njoftim nga mediat, nuk jemi në dijeni ende nuk e kemi diskutuar shumë shpejtë do ta shikojmë dhe do të dalim me qëndrim”, ka thënë Gashi.

Ndërsa Fatmir Matoshi nga AKR, parti nga e cila vjen edhe kryetari Bahtiri ka thënë se kjo është një iniciativë individuale dhe partia nuk ka diskutuar për diçka të tillë.

“Këtë deklaratë Agimi e ka thënë edhe para tri ose katër ditëve, është një ide e kryetarit i cili është nga partia e AKR-së për bashkimin e Mitrovicës sepse nëse njerëzit japin dorëheqje dikush duhet të kujdeset për ta edhe për shqiptarët edhe për të gjithë, në këtë kontekst e ka pasur deklaratën Bahtiri. Ne si parti nuk kemi folur për këtë punë, nuk mund të them  as që e përkrahi as që e kundërshtojmë” ka thënë Matoshi, duke shtuar se është mirë që të mbahet mbledhja dhe të dëgjohen edhe të tjerët se çfarë po mendojnë që të krijohet një mendim i përbashkët.

https://kallxo.com/agim-bahtiri-thirr-mbledhje-per-bashkimin-e-mitrovices-dokument/

.