Infrakos fillon rrënimet e ndërtimeve në pronat e hekurudhave

Pas padive të shumta, kallëzimeve penale, dhe pas një vendimi të gjykatës “Infrakos” ka filluar rrënimin e objekteve në pronë të hekurudhave.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e “Infrakos”-it në lidhje me rrënimet të cilat po bëhen në Komunën e Prizrenit.

Ai tregoi se rrënimet kanë filluar që nga dita e hënë në bashkëpunim me Komunën e Prizrenit.

“Jo sot, por që dy ditë, e që tri vite është t`u ndodh kjo. Jemi duke u marrë me këtë problem, kanë qenë procese që është dashtë me i ndjek procedurat gjyqësore, paditë, kallëzimet penale, deri është ardhë te vendimi i formës së prerë. Është dashtë me bo një marrëveshje me komunën, komuna ka marrë përgjegjësi me i rrënu, me i liru të gjitha pronat e hekurudhës nga çdo cep në Prizren. Është duke u përmbajtur marrëveshja mes komunës dhe Infrakosit dhe po lirohen hapësirat e Infrakos-it”, tha Tërrnava për KALLXO.com.

Ai theksoi se ndërtimet të cilat po rrënohen gjenden në prona të hekurudhave, duke shtuar se ekziston një vendim i gjykatës për lirim.

I pyetur në lidhje me ankesat e kompanive ndërtuese për rrënimin e objekteve, Tërrnava tha se ka pasur njoftime për rrënim ndërsa nuk u janë përmbajtur atyre njoftimeve.

“Të gjitha procedurat ligjore për njoftimin për lirimin e pronave të hekurudhës janë tejkalu, janë marrë masa prej Infrakosit, janë marrë masa prej departamentit dhe janë liru pronat. Kanë qenë paditë, ka pasur njoftime pas marrëveshjes prej komunës që largoni vet, lironi pronat se do të marrim masa dhe nuk i kanë largu”, tha tutje Tërrnava.

Sipas Tërrnavës, Qeveria e Kosovës ka autorizuar “Infrakos”-in që të menaxhoj pronat e hekurudhave.

“Pronat e hekurudhës nuk janë prona private as të komunës, janë prona të shtetit e Qeverisë së Kosovës dhe qeveria ka autorizuar Infrakosin për menaxhim të pronës. Na kemi të drejtë me menaxhu pronën dhe kemi marr masa”, tha Tërnava.