Incidenti në Gjilan, viktima theret dy herë me thikë

Tre persona janë ndaluar sot nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Gjilan nën dyshimin për veprat penale, vrasje në tentativë dhe pjesëmarrje në rrahje.

Në njoftimin e Prokurorisë thuhet se para pesë ditëve, të dyshuarit me inicialet I.C dhe E.A kanë tentuar të privojnë nga jeta të dëmtuarit M.B dhe E.H.

Tutje Prokuroria ka sqaruar se i pandehuri I.C ka goditur dy herë me thikë në shpatull dhe në bel të dëmtuarin M.B, kurse i pandehuri tjetër, po ashtu ka goditur të njëjtin dy herë me kaçavidë në gjoks dhe stomak.

Prokuroria ka njoftuar se i pandehuri I.C, ka goditur me thikë edhe të dëmtuarin tjetër E.H, duke i shkaktuar lëndime trupore për të cilat kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Për kryerjen e veprës penale pjesëmarrje në rrahje, Prokuroria ka njoftuar se ka ndaluar edhe të dyshuarin E.A, i  cili me dashje ka marrë pjesë në rrahje, duke i goditur të dëmtuarit.

Gjithashtu, Prokuroria ka njoftuar se ndaj të dyshuarve ka ushtruar kërkesën për caktimin e paraburgimit në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Kjo pasi që ekziston rreziku i ikjes, duke pasur parasysh faktin që të njëjtit kanë qenë në arrati që nga koha e kryerjes së veprës penale dhe po të liheshin në liri do të ndikonin tek të dëmtuarit/dëshmitarët, si dhe do të i përsërisnin veprat penale me pasoja më të rënda.