Incidenti në Dubravë policia i konfiskon pistoletë Shefqet Kabashit

Shefqet Kabashi, i mbijetuar i masakrës së Dubravës në maj të vitit 1999 gjatë ditës së sotme ka prishur rendin dhe qetësinë publike deri sa po zhvillohej manifestim brenda rrethojave të Burgut të Dubravës për shënimin e përvjetorit të masakrës.

Ai është arrestuar nga ana e policisë së bashku me katër persona të tjerë.

Me anë të një njoftimi Policia ka konfirmuar se “sot me datë 22.05.19 me rastin e 20 vjetorit të përkujtimit të masakrës në Burgun e Dubravës, konkretisht Stacioni Policor Istog ka zbatuar një Plan Operativ për siguri në perimetrin e jashtëm tek Qendra Korrektuese në Dubravë”.

“Në momentin e fillimit të ceremonisë rreth orës 13:30 brenda perimetrit të burgut, përderisa moderatorja ishte duke i prezantuar mysafiret pjesëmarrës, shtetasi Sh. K. (m./K./sh.) ka prishur rendin dhe qetësinë publike në ketë ceremoni. Oficerët korrektues kanë intervenuar dhe e kanë larguar të dyshuarin e lartcekur nga vendi ku po mbahej ceremonia si dhe disa persona tjerë që ishin bashkë me të, duke i dërguar ata jashtë perimetrit ku gjendeshin zyrtarët policor të Policisë Kosovës të cilët pastaj i kanë arrestuar  5 (pesë) personat e dyshuar”, thuhet në njoftimin e policisë.

Gjithashtu thuhet se në automjetin e Shefqet Kabashit policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë të cilën ai e posedonte pa leje.

“Të dyshuarit janë intervistuar nga hetuesit në stacionin policor Istog. Prokurori i shtetit është informuar dhe ka udhëzuar që të hapen rastet: ‘ Mbajtje në pronësi, kontrollë, posedim i pa autorizuar i armës’ dhe ‘Prishje të Rendit dhe Qetësisë Publike’, ndërsa sipas urdhrit të prokurorit i dyshuari Sh.K. është ndalur në mbajtje për 48 orë, ndërsa 4(katër) të dyshuarit e tjerë lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në njoftim.

Pistoleta e konfiskuar nga policia

https://kallxo.com/nehat-thaci-flet-per-incidentin-brenda-burgut-te-dubraves/