VIDEO: Inaugurim dhe Gaz Lotsjellës

Ndryshe nga ditët tjera, që në orët e para të mëngjesit sheshet kryesore të Prishtinës ishin të pakalueshme për qytetarët.

Në prani të forcave të shtuara policore, në “Nënë Tereza”, “Skënderbeu” dhe “Ibrahim Rugova” gjithçka ishte bërë gati për inaugurimin e presidentit të ri.

Veç atyre që ishin të ftuar, të tjerët nuk mund të kalonin. Por, edhe mysafirët e Thaçit kontrolloheshin në skanerët që ishin të vendosur jashtë ndërtesës së qeverisë.

Përveç nëpër rrugë, policë kishte edhe mbi ndërtesat përreth vendit ku do të mbahej ceremonia. Por, kjo nuk i ndaloi aktivistët e lëvizjes Vetëvendosje të gjuanin lotsjellësin në hapësirat ku pritej të niste ceremonia e inaugurimit.

Dy herë brenda pak minutash mysafirët e rendeve të fundit u trazuan. Menjëherë reaguan policët, duke larguar me dorë bombolat e gazit që u erdhën surprizë.

Ceremonia përfundoi me Hashim Thaçin që mori ‘amanetin’ nga Presidentja e deridjeshme, Atifete Jahjaga- një kopje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të cilës Hashim Thaçi tha se do t’i bëhet ‘gardian’.