Ilustrim

Importet ‘Ngulfatën’ Eksportet në Muajin Gusht

Kosova në tregtinë e jashtme vazhdoi shkëmbimin e mallrave me vendet e CEFTA-s, BE-së dhe vendeve tjera në botës, duke thelluar edhe deficitin tregtar që kapi vlerën 249 milionë euro.

Kosova edhe në këtë muaj eksportoi më shumë produkte minerare dhe metale bazë për të blerë ushqime të përgatitura, pije e duhan.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovë (ASK) për muajin gusht thonë se është shënuar një deficit më i lartë krahasuar me muajin gusht të vitit të kaluar.

“Të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për (14.8%) në muajin gusht 2016, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2015, gjegjësisht në vlerë prej 249,0 milionë € krahasuar me deficitin 216,9 milionë € ne vitin 2015. Eksporti mbulon importin (7.9%),” thuhet në publikim.

Eksporti i mallrave në muajin gusht kishte vlerën 21.4 milionë euro, ndërsa importi 270.4 milionë euro.

Në eksportin e mallrave, me përqindje më të lartë dominuan metalet bazë dhe produktet minerare.

“Sipas të dhënave të grupeve kryesor të eksportit: (29.0%) e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (17.0%) produktet minerale, (12.4%) ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (10.5%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre, (9.3%) produkte bimore, (3.8%) artikuj të ndryshëm të prodhuara, (3.6%) tekstil dhe artikuj tekstili, (3.0%) makineri, pajisje mekanike dhe elektrike etj.

Por publikimi thotë se Kosova importoi më shumë ushqime të përgatitura, pije e duhan, makineri dhe pajisje mekanike e elektrike.

“Ndërsa sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: (15.0%) të importit e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani, (13.7%) makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, (13.1%) produktet minerale, (10.5%) metalet bazë dhe artikujt prej tyre, (6.8%) produktet e industrisë kimike, (6.4%) mjetet e transportit, (6.1%) plastikë, gomë dhe artikuj prej tyre etj,” sqaron publikimi

Tregtia e jashtme e Kosovës me 28 vendet e BE-së

Si një muaj më parë ashtu edhe në këtë muaj, eksportet shënuan rënie. Eksportet e Kosovës drejt 28 vendeve të Bashkimit Evropian (BE), shënuan një rënie mbi  45 për qind.

“Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së 28 arritën në 4,6 milionë €, ose rreth (21.7%) e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-45.1%). Partnerët kryesorë per eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (5.2%), Bullgaria (3.5%), Austria (2.9%), Kroacia (2.2%),” thuhet në publikim.

“Importet e Kosovës nga vendet e BE-së-28 ishin rreth 109,3 milionë €, ose (40.4%) e importeve të përgjithshme, me një rritje prej (5.8%). Importet me pjesmarje me te lartë ishin nga: Gjermania (11.8%), Italia (8.2%), Polonia (3.1%), Greqia (2.9%) etj,” tregon ASK-ja.

Tregtia me vendet e CEFTA-s

Eksporti i mallrave drejt partnerëve kryesorë si Shqipëria, Maqedonia, Serbia dhe Malit i zi shënoi rënie këtë muaj.

“Në muajin gusht 2016, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 11,0 milionë €, ose (51.3%) të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-8.6%).Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Shqipëria (17.2%), Maqedonia (14.0%), Serbia (9.4%) dhe Mali i Zi (7.7%),“ tregohet në publikim.

Për dallim nga rënia e eksportit të mallrave te këto vende, importi i tyre u rrit, ku me pjesëmarrje më të lartë në këtë import kontribuon Serbia.

“Ndërsa importet nga vendet e CEFTA-s në muajin gusht 2016 arritën në 76,9 milionë €, ose (28.4%) të importeve të përgjithshme, me një rritje prej (8.8%).Vendet me pjesmarje më të lartë për import ishin: Serbia (14.8%), Maqedonia (6.0%), Shqipëria (3.9%) dhe B&H (3.2%),” njofton publikimi.

Kosova eksporton dhe importon edhe me vendet e tjera të botës, të cilat nuk janë anëtare të CEFTA-s dhe të BE-së dhe vlera e tyre arriti 5.8 milionë euro me partnerë kryesorë për eksport Zvicrën (6.4 për qind) dhe Turqinë (3.2 për qind).

Importet ishin  84,2 milionë euro, ose 31.1 për qind. Vendet me pjesëmarrje më të lartënga të cilat Kosova importoi  ishin Turqia 10.4 për qind dhe Kina 8.9 për qind.