Imet Rrahmani nuk Pajtohet me ‘Largimin’ nga Kuvendi

Ministri në ikje i Shëndetësisë, Imet Rrahmani, i cili fillimisht ishte raportuar nga ana e KQZ-së se ka fituar mandatin e deputetit, dje pas rinumërimit të disa kutive ka kuptuar lajmin se ka humbur ulësen, pasi që ka pasur vota më pak se bashkëpartiaku i tij, Naser Osmani.

Ai sot ka reaguar përmes një statusi në Facebook, duke kërkuar sqarime nga KQZ-ja.

“Konsideroj se është bërë një shkelje e rëndë e rezultatit zgjedhor sepse ndryshimi që ka ndodhur nuk bazohet në rezultatin real të rinumërimit. Nga ajo që shihet në dokumentet e publikuara nga KQZ, rinumërimi i votave ka sjell uljen e votave për kandidatin direkt konkurrent për tri vota, a në anën tjetër numri i votave të mia nuk ka ndryshu. I bëjë pyetje publike KQZ-së, si ndodhi që të shtohen votat për kandidatin tjetër kur rinumërimi ka konfirmu zbritje?”, ka shkruar kandidati i LDK-së për deputet.

Rrahmani pas rinumërimit të 117 kutive të votimit ka dalë me 3 vota më pak, ndërsa Naser Osmanit i janë shtuar 85 vota.

Para rinumërimit KQZ-ja kishte publikuar rezultatet ku Naser Osmani ka figuruar si kandidat me 7 mijë e  265 vota, ndërsa pas këtij procesi votat e Osmanit janë 7 mijë e 350.

Rrahmani më tutje në postimin e tij thotë se nuk do të lë “gur pa lëvizur për ta zbardhur vullnetin e qytetarëve”.

“Nuk dua të besoj se një proces i shenjtë demokratik siç është vota e qytetarit, mund te shtrembërohet e keqpërdoret, prandaj bashkë me ekipin tim nuk do lëmë gur pa lëvizur! Unë do të ushtroj ankesë në afatet ligjore dhe do të luftoj deri në fund që të zbardhet vullneti i qytetarëve i shprehur me votë ditën e zgjedhjeve, sepse vendosja e drejtësisë shkon edhe në dobi të partisë. Kështu si është as LDK-së nuk i bënë nder”, shkroi ministri në detyrë.

Humbjen e pozitës së deputetit pas rinumërimit të votave Rrahmani e vlerëson “pjesë të pazareve paszgjedhore”.

“Si duket emri im nuk qenka i përshtateshim për zhvillimet pasuese te mundshme dhe pazaret eventuale, por si do që të jetë unë përfaqësoj një rreth të madh votuesish të devotshëm të LDK-së, të cilët vlerësojnë punën time profesionale dhe te ndershme si mjek, politikan, nënkryetar i LDK-së në Gjilan e ministër i shëndetësisë!”, thuhet në reagimin e Rrahmanit në Facebook.

Në lidhje me reagimin e Rrahmanit, KALLXO.com e ka kontaktuar edhe zëdhënësin e KQZ-së Valmir Elezi, por ai ende nuk është përgjigjur.