Imet Rrahmani i reagon ministrit të Shëndetësisë për çmimin e barnave

Ish Ministri i Shëndetësisë nga radhët e Lidhjet Demokratike të Kosovës Imet Rrahmani ka reaguar ndaj Ministrisë së Shëndetësisë duke thënë se blerja e barnave me çmime më të ulëta nuk është bërë për herë të parë pasi që sipas tij buxheti është kursyer edhe në kohën kur ai ka qenë Ministër.

“E para, u përmend se bari Imatinib u ble me çmim shumë me të lirë se sa kontrata e mëhershme dhe u kursyen miliona. Ja një fakt i cili demanton përvetësimin e ecurisë që e paracakton konkurrenca, si të arritur personale Në vitin 2015 Ministria e Shëndetësisë e ka kontraktuar barin Imatinib me çmimin 32 euro duke kursyer 1.2 milion euro, sepse më herët ky bari ishte kontraktuar me 96 euro ( kaq ishte oferta edhe në vitin 2015). Atëherë u protestua dhe na sulmuan se kemi ble bari jo cilësor dhe askush nuk e përmendi si sukses kursimin e buxhetit”, tha Rrahmani.

Sipas tij kjo vjen si rezultat i konkurrencës dhe fjala është për dhjetëra mijëra euro, e jo miliona.

Rrahmani ngriti dyshime edhe për harxhimet për blerjen e insulinave që sipas tij në mandatin e ministrit Ismaili janë dyfish më të larta.

“Një problematikë tjetër është për të u hulumtuar edhe nga gazetarët edhe nga organet e hetuesisë, se qysh ndodhi që harxhimet për insulina të shkojnë në gati dyfishimin e vlerës së parave të harxhuara vitet e fundit. Ne me afërsisht 3 milionë euro kemi mbuluar nevojat dhe nuk kemi pasur mungesa të gjata. Tash harxhimet për insulina kanë arrit mbi 5 milionë. Ne kemi informacione se si ka ndodhur kjo rritje në blerjen e insulinave. Pra, janë blerë në sasi shumë të mëdha vetëm llojet insulinave që kanë çmimet më të larta dhe nuk janë blerë ose janë blerë në sasi të vogla insulinat e lira”, tha Rrahmani.

Rrahmani thotë se në kohën kur ai ka qenë ministër ka  kursyer vetëm me kontraktimin e Gensulinës rreth 1.5 milion euro.

“Ka edhe argumente të tjera që hedhin poshtë këto tentime që të mashtrohet opinioni me shifra e me deklarime të paqëndrueshme, që nuk kanë asnjë qëllim tjetër vetëm se të sulmohet tjetri dhe të mbulohet dështimi total në furnizim me barna dhe material harxhues”, tha ai.

Ditë më parë ministri Ismaili tha se Ministria që ai e drejton ka kursyet 6 milionë euro nga buxheti për barna duke blerë kështu barna me çmim më të ulët dhe në sasi të duhur.

https://kallxo.com/ismaili-kursyem-6-milione-euro-duke-e-luftuar-korrupsionin-me-barna/?