Ilir Shala, kryeshef ekzekutiv i KOSTT, Foto: Facebook

Ilir Shala Është Zgjedhur Kryeshef Ekzekutiv i KOSTT

Në takimin e mbajtur më 1 mars, Bordi i Drejtorëve të KOSTT pas një procedure të hapur dhe konkurruese ka marrë vendim që të emërojë Ilir Shalën, Kryeshef Ekzekutiv të KOSTT.

Për pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv kanë aplikuar 11 kandidatë, 4 prej të cilëve kanë qenë në listën e ngushtë.

Ilir Shala është magjistër në fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Prishtinës si dhe magjistër në menaxhim të shërbimeve dhe lidershipit nga Rochester Institute of Technology (RIT Kosovë). Shala ka një eksperiencë mbi 18 vjeçare në sektorin e energjisë.

Në periudhën 2003-2006, ai ka mbajtur pozitën e drejtorit të Departamentit për Projekte dhe Investime në Divizionin e Transmisionit dhe Dispeçingut në KEK, pozitë me të cilën ka vazhduar edhe në KOSTT, që nga themelimi në vitin 2006.

Nga muaji qershor i vitit 2017 deri më tani, Shala ka mbajtur pozitën e zv.Kryeshefit Ekzekutiv për Zhvillim në KOSTT.

Shala ka ndjekur programe të ndryshme të lidershipit përfshirë dhe programin “International Visitor Leadership Program (IVLP)”, me ftesë të Departamentit Amerikan të Shtetit si dhe është anëtar aktiv i  KUSA (Kosovo United States Alumni).

Bordi i KOSTT-it është i përbërë nga Gani Jashari – anëtar, Afrim Prekazi – anëtar, Nebih Zariqi – anëtar dhe Ilir Shala – Kryeshef Ekzekutiv.

Në mbledhjen e Qeverisë në fund të muajit shtator të vitit 2017, kryeministri Ramush Haradinaj kishte shkarkuar 10 drejtorë të bordeve të ndërmarrjeve publike.

Drita Konxheli, Musa Misini e Anita Cucoviq ishin drejtorët e shkarkuar nga Bordi i kaluar i KOSTT-it.