Ilir Meta nuk e dekreton Gent Cakajn shkaku i deklaratave pro korrigjimit të kufijve (DOKUMENT)

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta nuk e ka dekretuar kosovarin Gent Cakajn si ministër të Punëve të Jashtme të Shqipërisë.

Në arsyet e mos-dekretimit, Meta i përmend deklaratat e Cakajt dhënë në intervistë televizive për çështje të korrigjimit të kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në letrën e Presidentit Meta, drejtuar kryeministrit Edi Rama thuhet se deklaratat e Cakës janë të rrezikshme e që mund të sjellin pasoja të paparashikueshme në rajon dhe më gjerë.

“Këto deklarata të rrezikshme të z.Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian. Përkrahja, sponsorizimi apo edhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet në mes tjerash në letrën e Metës për mos-dekretimin e Cakajt si ministër.

Në po këtë letër të gjatë, Meta e cilëson Cakajn si të papërvojë.

“Profili i z.Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”, thuhet në letrën e presidentit Meta drejtuar kreut të Qeverisë, Edi Rama.