Ilir Deda Lë Zyrtarisht Vetëvendosjen

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga Lëvizja Vetëvendosje.

Largimin nga LVV Deda e bëri në një konferencë së bashku me sekretarin e Lëvizjes Vetëvendosje Dardan Molliqaj.

Vetëvendosjen Ilir Deda e ka quajtur “katalizator të ndryshimeve” dhe tregoi se po largohet nga kjo parti për shkak të dallimeve konceptuale.

Më tutje, Deda shtoi se ai nuk do të transferohet askund sa i përket partive, por bëri të ditur që në muajt e ardhshëm do të jetë me një organizim të ri politik.

“Unë do ta filloj një angazhim në muajt e ardhshëm. Kështu që të jemi të qartë jo javët e ardhshme, muajt e ardhshëm për krijimin e një organizimi të ri politik”, tha Deda.

Ndërsa, Dardan Molliqaj tha se largimi i Ilir Dedës nuk është zëvendësim as plotësim, por vetëm zgjerim dhe rritje e Vetëvendosjes ku edhe synim kanë partneritet të ri.

“Nuk do të jetë as zëvendësim e as plotësim, por do të jetë zgjerim dhe rritje e Vetëvendosjes, po edhe synim i partnerëve të rinj, qofshin ato edhe subjekte të reja politike, iniciativa, organizime çfarëdo qoftë”, tha Molliqaj.

Ilir Deda shtoi se nuk ka rëndësi se me kënd e krijon partinë e re.

Po ashtu, ai shpjegoi pse nuk e ka lënë Vetëvendosjen më herët ndonëse ka pasur pëplasje me anëtarë të saj.

“Nuk ka qenë fer në kohën kur pushteti i PDK-së me këto copëza të LDK-së kanë bërë goditje të egra ndaj Lëvizjes Vetëvendosje. Nuk ka qenë korrekt me lëshu Vetëvendosjen në moment të përballjes së paparë të Kosovës prej vitit 1999”, shtoi Deda.