IKShPK: 2080 raste të pickimit nga rriqrat që nga viti kaluar, Malisheva prin me 837 raste

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se janë raportuar 2080 raste të pickimit nga rriqrat që nga fillimi i vitit 2019 deri në muajin korrik të këtij viti.

Sipas tyre, numri më i madh i pickimeve është raportuar në komunën e Malishevës  me 837 raste, pastaj  Suhareka me 376 raste, Klina me 187 raste, Rahoveci  me 118 raste dhe komunat e tjera me numër më të vogël të rasteve.

Instituti  njoftoi se deri më 5 korrik të këtij viti  nga  10 mostra testuara si  të dyshimta me ethe hemorragjike Krime-Kongo(EHKK) në në Departamentin e Mikrobiologjisë  një rast ka rezultuar pozitiv me EHKK.

“Komuna e Malishevës ka bërë dezinsektim selektiv në asgjësimin e rriqrave. Komunat tjera endemike po përgatiten dhe besojmë së shpejti do të fillojnë me dezinsektim selektiv” thuhet në njoftim.

IKSHPK dhe komunat endemike kanë apeluar për kujdes dhe rekomandojnë qytetarët për sivjet:

  1. Mos qëndroni gjatë dhe pa nevojë në livadhe dhe vende me shkurre,
  2. Nëse patjetër duhet të jeni të pranishëm në këto vende vesh rroba të gjata dhe pantallonat futni në çorapë,
  3. Duhet të përdorni preparate me të cila lyejmë pjesët e trupit të cilat i dëbojnë insektet nga trupi i njeriut e sidomos në pjesët e zbuluara të trupit, (shuplakat, qafën),
  4. Kontrolloni trupin mos keni ndonjë rriqër gjatë qëndrimit në vatër,
  5. Kontrolloni përsëri trupin pas largimit nga livadhi apo vendet me shkurre,
  6. Nëse keni rriqër në trup ofrohuni në qendrën më të afërt mjekësore sa më shpejt,
  7. Kositja e barit të bëhet në vazhdimësi (oborr dhe livadhe),
  8. Pastrimi dhe dezinfektimi i stallave të bëhet në vazhdimësi,
  9. Mbajtja e higjienës personale në nivelin më të lartë.