IKSHP e alarmuar për aksidentet, jep disa rekomandime

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës nëpërmjet një komunikate për media u ka bërë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë vozitjes, ndërsa ka dhënë disa rekomandime.

Sipas Institutit nga 1 janari i vitit 2017, në aksidente rrugore kanë humbur jetën mbi 280 persona, prej tyre 137 kanë vdekur në vitin 2017, 129 në 2018 dhe të tjerët, 15 këtë vit.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se po që se nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës po përcjell në mënyrë permanente situatën epidemiologjike të aksidenteve në trafik. Instituti Kombëtar vite me radhë shpreh shqetësimin lidhur me numrin e madh të aksidenteve në trafik, ku si pasojë kanë gjetur vdekjen qindra persona që paraqesin shifra alarmante dhe shumë shqetësues fakti se shumica e viktimave janë këmbësorë. Deri tani është ndërmarë shumë pak në parandalimin e tyre. Shkaqet janë të ndryshme por sigurisht se faktori njeri është më i shpeshtë pasi që nuk janë duke u respektuar rregullat e përgjithshme në trafik, nga manipulimi i pasigurt me automjet, tejkalimi i shpejtësisë, mos mbajtja e distancës, mos respektimi i shenjave të trafikut dhe mos përshtatja e kushteve të rrugës përdorimi i shpeshtë i telefonave mobil, vozitja nën ndikimin e alkoolit, substancave narkotike, ndikimi i lodhjes apo pagjumësisë, trajnimi joserioz gjatë dhënies së provimit për shofer, por duke mos munguar as faktori rrugë dhe automjet ngase akoma në shumë vende mungojnë shenjat e komunikacionit dhe veturat e vjetra me mangësi të shumta teknike, ku infrastruktura është problematike dhe drejtuesit e mjeteve janë të pakujdesshëm gjatë vozitjes. Qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë. Te autorët e aksidenteve vërehet mungesë e edukatës qytetare për rregullat e qarkullimit të këmbësorëve dhe të automjeteve, mosdhënien e përparësive në komunikacion në mes tjerash si persona egocentrik, të prirur të perceptojnë se bota sillet vetëm rreth tyre, vështirë të shohin rrethin dhe të akseptojnë të tjerët, ku veten e perceptojnë në piedestalin e kontrollit absolut ndaj të tjerëve”, thuhet në apelin e IKSHP-së.

Instituti Kombëtar jep këto:

-Përpilimi i një plani të veprimit për parandalimin e aksidenteve dhe aprovimi me procedura urgjente nga Parlamenti i Kosovës.

-Zbatimi me rigorozitet i Ligjit per komunikacionin deri në ndalesën e vozitjes për shkelje të rënda të përsëritura.

-Me programe të ndryshme edukativo–informative të vetëdijësohen njerëzit e posaçërisht vozitësit për rolin e tyre në parandalimin e aksidenteve të cilat ndodhin si pasojë e gabimeve të tyre si dhe aftësimi për të ofruar ndihmën e parë.

-Angazhimi i mas-mediave në kampanja të ndryshme që kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve.

-Me fillimin e vitit të ri shkollor të sensibilizohet çështja e sigurisë së fëmijëve në komunikacion duke organizuar orë edukativo – arsimore për sjelljen e këmbësorëve në komunikacion, mësimi sistematik i rregullave të komunikacionit.

-Largimi i menjëhershëm i automjeteve të vjetra nga qarkullimi, kontrolli teknik rigoroz i të gjitha automjeteve.

-Kontrollimet mjekësore të rregullta, periodike dhe plotësuese me vlerësim rigoroz të shëndetit mendor të vozitësve që kanë bërë shkelje të rënda të njëpasnjëshme.

-Të rregullohet infrastruktura rrugore, të bëhet mirëmbajtja e rrugëve, të kompletohet sinjalizimi dhe respektimi rigoroz i rregullave të parkimit të veturave.

-Drejtuesit e automjeteve t’i përmbahen me përpikëri shenjave të komunikacionit dhe kodit të mirësjelljes qytetare.

-Inspektimi rigoroz i autoshkollave dhe kritereve për marrjen e patent shoferëve.

-Këmbësorët të respektojnë shenjat e komunikacionit.

Instituti Kombëtar përmes këtij apeli rekomandon zbatimin rigoroz të rregullave të qarkullimit rrugor që nuk ka si qëllim në vetvete dënimin e shtetasve që kryejnë kundravajtje, por uljen në maksimum të aksidenteve rrugore dhe rritjen e sigurisë së jetës së shtetasve që qarkullojnë në rrugët e Kosovës.

Duhet të kuptohet nga të gjithë se jeta është më e shtrenjtë nga një shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor.

Ekspertët e Institutit Kombëtar alarmojnë dhe paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, humbja e pritshme e jetëgjatësisë së banorëve do të jetë enorme.

“Andaj bëjmë apel te të gjithë qytetarët të kenë shumë kujdes gjatë drejtimit të automjeteve sepse automjeti është armë vrasëse që merr viktima të pafajshme”, thuhet tutje në apeline Institutit Kombëtar.

Ndërsa, vetëm dje katër persona kanë humbur jetën në dy aksidente të ndara.

Tre persona kanë vdekur nga një aksident që ka ndodhur në Duhël të Suharekës, ndërsa një tjetër ka vdekur në një aksident në Vitomiricë të Pejës./21Media