Ilustrim

Ikja e kosovarëve, Prokuroria nis burgosjen e kontrabandistëve

Prokuroria e Gjilanit ka njoftuar se ka ndaluar pesë persona nën dyshimet për kontrabandim të personave drejt Zvicrës.  Siç njofton Prokuroria të dyshuarit janë ndalur në pikën kufitare “Dheu i Bardhë’ duke tentuar që t`i kontrabandojnë dy të dyshuarit për në Zvicër me dokumente të falsifikuara italiane.

“Prokuroria dje rreth orës 14h, ka ndaluar të dyshuarit G.V., S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., në kohëzgjatje prej 48 orësh, ndërsa sot, ndaj tyre ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit, në Gjykatën Themelore në Gjilan, në afat prej 30 ditësh. Sipas kërkesës, ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari G.V., më 12 prill 2019, në pikën kufitare Dheu i Bardhë, me qëllim të përfitimit pasuror, ka tentuar që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me veturën e tij të markës Audi, t’i transportonte në Zvicër, ku paraprakisht ishin marrë vesh për mënyrën e kryerjes dhe përfitimit, mirëpo me rastin e kontrollimit në pikën kufitare, është konstatuar se të njëjtit posedonin dokumente të falsifikuara”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjilanit.

Siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë i dyshuari G.V., dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’Kontrabandimi me migrantë’’.

“Të pandehurit S.K., G.E., F.V., dhe A.SH., dyshohet që më 10 prill 2019, te qendra tregtare ‘’Jora Center’’, afër Aeroportit të Prishtinës, me qëllim të përfitimit pasuror dhe shfrytëzimit të dokumentit si origjinal, kanë ndryshuar dhe kanë përdorur dokumentet e falsifikuara si origjinale, në atë mënyrë që të pandehurit F.V. dhe A.SH., me dije i kanë përdorur letërnjoftimet e falsifikuara italiane, të cilët i kanë blerë nga 1300 – 1500 euro, nga i pandehuri G.E., të cilat i njëjti i kishte siguruar nga i pandehuri S.K.”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit S.K., G.E., F.V. dhe A.SH., sipas Prokurorisë dyshohet që në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale ‘’Falsifikim i dokumentit’’.

Siç bën të ditur Prokuroria e Gjilanit, i dyshuari S.K., dyshohet edhe për armëmbajtje pa leje, pasi që ka mbajtur në pronësi armë zjarri, e cila gjatë bastisjes iu është sekuestruar.